AIP/ Foto: Agjencia për Informim dhe Privatësi
Shpërndarja e të dhënave personale të fëmijëve dhe prindërve që kanë aplikuar për subvencionim të librave, reagon AIP
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka informuar më 29.08.2024, se ka pranuar informacione lidhur me një dokument Excel i cili po shpërndahet në platforma të ndryshme të komunikimit. Lista e tillë përmban të dhëna personale të fëmijëve dhe prindërve të cilët kanë aplikuar për subvencionim të librave shkollorë.
Ky dokument është duke qarkulluar në grupet e prindërve me qëllim të verifikimit të aplikimit.
“Është një dokument excel që përmban të dhënat personale, numrat personal, ditëlindjet i cili është shpërndarë në viber, whatsapp” – ka qartësuar përmes telefonit komisionerja Krenare Sogojeva- Dërmaku.
Në njoftim specifikohet se të dhënat i përkasin qytetarëve nga Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, ndërkohë që burimi i shpërndarjes mbetet ende i paidentifikuar.
Komisionerja ka konfirmuar për Kallxo.com se kanë filluar hetimin e rastit dhe mëtutje do të dalin me një vendim.
Agjencia me këtë rast ka bërë thirrje që asnjë individ apo institucion që ka qasje në këtë dokument të mos e shpërndajë apo ta publikoj më tej.
Përhapja e mëtejshme e tij, ka qartësuar Agjencia, përbënë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe mund të rezultojë në pasoja ligjore.
AIP ka obliguar të gjithë individët dhe institucionet që posedojnë një kopje të këtij dokumenti ta fshijnë/shkatërrojnë atë menjëherë nga të gjitha pajisjet elektronike dhe çdo depozitë të dhënash, qoftë fizike apo digjitale, ku mund të jetë i ruajtur dokumenti.