Shpallet i pafajshëm Nijazi Kryezi për lidhjen e kontratave pa tender me televizionet lokale

Pas 2 vitesh gjykim, Nijazi Kryeziu ish drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës.

Kryeziu, nga Prokuroria u akuzua se ka lidhur kontratë pa tender në kohën sa punonte në Komunë.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate vlerësohet të jetë 7 mijë e 200 euro. Gjykata e Prizrenit sot shpalli aktgjykim lirues ndaj tij.

Gjyqtarja e rastit, Raima Elezi në mungesë të fakteve dhe provave, Kryeziun e shpalli të pafajshëm.

Në arsyetimin e dhënë, gjykatësja Elezi tha se me veprimet e të akuzuarit nuk janë plotësuar elementet e veprës penale si dhe nuk ka ekzistuar dashja në rastin konkret. Gjithashtu, i akuzuari nuk kishte përfituar asnjë dobi pasurore siç ishte akuzuar.

Nga seancat e kaluara, përfaqësuesi i Nijazi Kryeziut, Kadri Mjekiqi nga gjykata në fjalën përfundimtare kishte kërkuar që në mungesë të provave ta liroj të mbrojturin e tij.

Tutje, ai i kishte kujtuar trupit gjykues se në këtë gjykatë, ishte mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj ish ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashit me ç’rast për veprimet e ngjashme gjykata atë e kishte liruar nga përgjegjësia.

“Apeli e ka vërtetuar vendimin meritor të kësaj gjykate ndaj Kujtim Gashit. Andaj, i propozoj trupit gjykues që ta keni parasysh aktgjykimin lirues të Gashit ndaj klientit tim”, tha avokat Mjekiqi.

Aktakuza e datës 2 gusht 2019, të akuzuarin Nijazi Kryeziu e ngarkonte për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nijazi Kryeziu u akuzua për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish kryetarit Ramadan Muja.

Prokuroria, Kryeziun e ka akuzuar se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me “TV Opinion” për emitimin e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, këshilltar i ish – Kryeparlamentarit Kadri Veseli, janë detyrat të cilat Njazi Kryeziu i ka mbajtur në të kaluarën.

Kurse, “I papunë”, ishte deklaruar Kryeziu që nga viti 2017.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë – LINK