Gjykimi i ish-Kryetarit të Kllokotit FOTO: KALLXO.com

Shpallet i pafajshëm ish-Kryetari i Kllokotit

Sasha Mirkoviq dhe Zharko Dejanoviq, ish- Kryetar i Komunës dhe përkatësisht ish-Kryetari i Kuvendit të kësaj komune janë shpallur të pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kjo çështje ka qenë në rigjykim, ndërsa sot Gjykata e Gjilanit i liroi nga akuza këta zyrtarë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, në datën 22.02.2012 Sasha Mirkoviq në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Kllokotit dhe Zharko Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të kuvendit komunal të Kllokotit, me qëllim të përfitimit, duke i shpërfillur procedurat ligjore, kanë lëshuar me qera parcelë personit Dardan Novosella në shumën prej 550 euro në muaj.

Mirëpo sipas prokurorisë, për këtë parcelë nuk ishte paguar dhe inkasuar qiraja deri në datën 15.05.2013, duke i shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit 7 mijë e 700 euro.

Kështu Mirkoviq dhe Dejanoviq akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për këtë çështje nga Gjykata e Gjilanit është marrë aktgjykim lirues më parë, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen për rivendosje pas ankesës së prokurorisë.

Pas kësaj, gjykata ka vendosur sërish që të akuzuarit t’i lirojë nga akuza me arsyetimin se nuk është gjetur që të akuzuarit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Palët kanë të drejtë ankese edhe ndaj këtij vendimi.