Shpallet fajtor i akuzuari Sasha Zllatkoviq

Sasha Zllatkoviq i akuzuar për nxitje të urrejtjes pas pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar, është dënuar me 5 muaj dënim me burgim dhe 5 vite dëbim nga territori i Republikës së Kosovës.

Dënim ky i cili do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Të akuzuarit koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 22.07.2024 do t`i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.

Kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti bëri të ditur se të pandehurit do të i vazhdohet masa e paraburgimit nga data 29.08.2024 e deri sa ky aktgjykim të merr formën e prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit me burgim të shqiptuar në aktgjykim.

Sasha Zllatkoviq i akuzuar për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit” kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten më 29.08.2024, në sesionin e paradites.

Sipas dosjes së prokurorisë i njëjti më 27.06.2024 ju kishte drejtuar një personi me fjalët “Shikoni se si terroristët e UÇK vozisin nëpër Deçan, njeriu ka stemën e UÇK-së, sikur me mbajt stemën e Zvezdës e Partizanit, jav q* nënën shqiptarëve e stërvinave, e ishalla të godet dikush nga mrapa” e më pas të njëjtin videoincizim e kishte publikuar në rrjetin social Tik Tok.

“Ndihem fajtor, dhe unë e kam pranuar menjëherë fajin tim” – kishte deklaruar i akuzuari Sasha Zllatkoviq.

“Nuk ka qenë e qëllimshme, nuk kam dashur të ndodh kështu por ka ndodhur siç ka ndodhur dhe në fund pendohem për këtë që ka ndodhur” – kishte deklaruar tutje i akuzuari Sasha Zllatkoviq.

Kryetari i trupit gjykues Kushtim Shyti kishte marr aktvendim të pranohet pranimi i fajësisë pasi gjykata vlerësoi se janë përmbushur kushtet.

I pandehuri Sasha Zllatkoviq në deklaratën e dhënë në Polici dhe në Prokurori kishte deklaruar se qëllimi nuk kishte qenë të urrejë shqiptarët apo ndonjë nxitje të urrejtjes ndëretnike, por me qëllim shakaje për çka tani është penduar dhe u kërkon falje shqiptarëve për veprimin e bërë.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së prokurorisë i akuzuari Sasha Zllatkoviq me dashje ka nxitë, përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, në atë mënyrë që më datë 27.06.2024 rreth orës 15:10, në Deçan, saktësisht afër rreth-rrotullimit në qendër, deri sa ishte duke lëvizur me veturën e markës “Polo”, i njëjti nga vetura e tij kishte realizuar një videoincizim me telefon veturës para tij të markës “Golf 3” ngjyrë e kuqe, e cila prapa kishte të vendosur emblemën e UÇK-së.

Sipas aktakuzës ai ju kishte drejtuar me fjalët “Shikoni se si terroristët e UÇK vozisin nëpër Deçan, njeriu ka stemën e UÇK-së, sikur me mbajt stemën e Zvezdës e Partizanit, jav q* nënën shqiptarëve e stërvinave, e ishalla të godet dikush nga mrapa” e më pas të njëjtin videoincizim e kishte publikuar në rrjetin social Tik Tok. Me këtë ka kryer veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit.