Foto-ilustrim

Shpallet aktgjykimi në rastin e ish-policëve të Kosovës të akuzuar për marrje ryshfeti dhe të tjerëve për kontrabandë me mallra e shmangie tatimore

Gjykata e Prishtinës ka shpallur të hënën aktgjykimin në rastin e ish-policëve të Kosovës, Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samed Ballazhi, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim i detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, dhe disa personave të tjerë, të akuzuar për krim të organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga tarifat doganore etj.

Gjatë seancës se fundit, prokurori i rastit Haki Gecaj i ricilësoi veprat ndaj të akuzuarve dhe në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën – krim i organizuar.

Kështu që Gjykata ka gjetur fajtorë për kontrabandë me mallra Imer Azemin, Kadri Kurtishin, Bujar Lokun dhe Ramadan Topojanin dhe i ka dënuar me nga 1 vit e 5 muaj burgim.

Ndërsa Tahir Currit për veprën e ngjashme i është shqiptuar dënim me kohëzgjatje 1 vit e 11 muaj.

I akuzuari Nazmi Kalisi u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, por me pëlqimin e të akuzuarit i njëjti dënim mund të zëvendësohet në dënim më gjobë.

Për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare Bekim Sylejmani u dënua me 5 muaj burgim.

Kurse Xhemajl Ramushi është liruar nga akuza me arsyen se nuk ka kryer vepër penale.

Gjithashtu edhe Hasip Kiki dhe Samet Ballazhi janë liruar nga akuza pasi që ndaj tyre nuk është provuar se kanë kryer vepra penale.

Ndërsa kundër Imer Azemit, Kadri Kurtishit, Bujar Lokut, Ramadan Topojanit, Tahir Currit, Nazmi Kalisit dhe Xhemajl Ramushit, është refuzuar akuza për veprën penale – shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Parashkrimi absolut kishte arritur për veprën penale – marrje dhe dhënie e ryshfetit ndaj Imer Azemit, Kadri Kurtishit dhe Bujar Lokut.

Kundër të akuzuarve Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi është refuzuar akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprave që u vihen në barrë.

Për shmangie nga tatimi Naser Ljamalari dhe Izair Aliu janë dënuar me nga 6 muaj burgim secili veç e veç, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet në rast se të akuzuarit nuk kryejnë vepra të tjera penale

Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës më 15 maj 2014 kishte ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve policorë: Hasip Kikit, Bekim Sylejmanit dhe Samet Ballazhit, si dhe të tjerëve për krim të organizuar në lidhje me kontrabandimin e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe në Serbi.

Por pas ricilësimit të veprës penale nga ana e prokurorit Gecaj të akuzuarit Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kameri, Nazmi Kalisi dhe Xhemail Ramushi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën e kontrabandimit me mallra.

Qerim Kurtishi, Bajram Rexhepi akuzohen për shmangie nga tarifa doganore.

Imer Azemi, Kadri Kurtishi akuzohen se në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën e dhënies së ryshfetit ndërsa Bujar Loku po ashtu në bashkëkryerje për dhënie ryshfeti.

Tutje Hasip Kiki dhe Bekim Sylejmani, Samet Ballazhi, tani akuzoheshin secili veç e veç për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe në bashkim real marrje ryshfeti.

Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi, secili veç e veç për kontrabandim të mallrave dhe shmangie nga tarifat doganore.

Ndërsa Naser Lamallari dhe Izair Aliji akuzohen secili veç e veç për shmangie nga tatimi.

Tutje në seancë për të akuzuarit Gani Shabani, Agron Krasniqi dhe Nexhat Gashi, trupi gjykues konstatoi se janë parashkruar veprat penale të cilat u viheshin në barrë.

Sipas kësaj aktakuze, në krye të këtij grupi kriminal qëndronin Imer Azemi, Qerim Kurtishi dhe Kadri Kurtishi, të cilët kishin themeluar grupin kriminal me qëllim të kontrabandimit dhe eksportimit te mallrave në Kosovë, Serbi dhe anasjelltas.

Qerim Kurtishi sipas Prokurorisë ka menaxhuar kontrabandimin e mallrave me personat e tjerë, ndërsa zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi si zyrtarë policorë u kanë mundësuar të pandehurve që t’i transportojnë lirshëm këto mallra pasi kishin marre ryshfet.

Ndër të akuzuar në këtë rast ishin edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, por ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Aktakuza e PSRK-se përshkruan se Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi kanë bërë organizimin e mallit me transport në Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, ku më pas kanë bërë shitblerjen e mallit, duke e marrë me qira dhe duke e dërguar ne kompanitë në Prishtinë dhe Ferizaj.