Ilustrim

Coronavirus: Arrestiohet organizatori i një dasme në Pejë

 

Një person, organizator i një dasme në Komunën e Pejës është shoqëruar në polici gjatë ditës së sotme për shkak që i njëjti nuk respektoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të anuluar aktivitetet për shkak se gjendjes emergjente që është shpallur në Kosovë pas rasteve të para të konfirmuar me coronavirus.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe prokurori i rastit, Ersan Qavolli.

Sipas prokurorit Qavolli, bashkë me organizatorin janë shoqëruar edhe disa dëshmitarë të tjerë.

Qavolli për KALLXO.com tregoi se në rrjetet sociale kishte qarkulluar një informacion për organizimin e dasmës e më pas prokuroria dhe policia kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme për të verifikuar informatën.

“Është shoqëruar për në stacion policor organizatori i dasmës dhe disa dëshmitar, është marrë në pyetje edhe një kameraman dhe i është sekuestruar një videoinçizim”, tha prokurori Qavolli.

Prokuroria ka treguar se ndaj organizatorit është hapur rasti për vepër penale mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjate epidemisë.

Ka arritur në 8 numri i personave të arrestuar në Pejë për mosrespektim të masave mbrojtëse  të ndërmarra ndaj COVID-19.

 

Qytetarët që nuk zbatojnë vendimet për mbrojtje nga pandemia dënohen deri në 2 vjet burg