Shkrepja me armë në Istog, gjykata shpall vendimin

Dy vite burgim efektiv, ia ka shqiptuar Gjykata e Pejës të akuzuarit për tentim vrasje, Luan Arifajt.

Gjersa për vepër penale armëmbajtje pa leje, gjykata e dënoi me 700 euro gjobë.

Ndërsa, i akuzuari tjetër për kanosje, Enver Arifaj, është dënuar me dy muaj burgim efektiv, në të cilin dënim i llogaritet koha prej 2 muajsh e kaluar në arrest shtëpiak.

Enver Arfiaj paraprakisht kishte pranuar fajësinë.

Në seancën e kaluar palët në procedurë dhanë fjalën përfundimtare.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, mbeti në tërësi pranë kualifikimit ligjor,  të gjitha propozimeve në aktakuzë si dhe kërkoi nga Gjykata e Pejës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Mbrojtësja e të dëmtuarit Ukë Idrizaj, avokatja Albana Kelmendi, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i pandehuri Luan Arifaj, me dashje ka ndërmarrë veprimin me qëllim të vrasjes.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Luan Arifaj, avokati Haxhi Millaku, në fjalën përfundimtare pretendonte se veprimi i të mbrojturit të tij ka qenë një veprim tipik i vetëmbrojtjes.

Prokuroria akuzonte Luan Arifajn se më 10.10.2018 në fshatin Muzhevinë të Istogut, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Ukë Idrizaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Luan Arifaj pasi kishte dëgjuar fjalët nga babai i tij, Enveri, i kishte thënë të dëmtuarit se pse po ma kërcënon babanë. Në këtë rast, i dëmtuari Ukë Idrizaj u kishte thënë “po i çoj gratë në shpi dhe po kthehem e po merremi vesh”.

Mosmarrëveshja, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kishte nisur pasi që sipas të dëmtuarit, i akuzuari Enver Arifaj po ia dëmtonte frytet në livadhin që ai e kishte marrë me qira, duke i futur lopët në të.

Aktakuza Prokurorisë sqaron se me t’u paraqitur i dëmtuari Ukë Idrizaj bashkë me djalin e tij, Ylberin, i akuzuari Luan Arifaj fillimisht i drejtohet të dëmtuarit me fjalët: “Pse ti po ma kërcënon babën”, e pastaj ka shtënë me armë në drejtim të tij, duke e qëlluar në regjionin e sipërm të këmbës së majtë.

Më këto veprime Luan Arifaj akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Enver Arifaj akuzohet se në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend ka kanosur të dëmtuarin Ukë Idrizaj, duke tentuar ta godasë me një hu në kokë. Por, i pandehuri është penguar nga djali i të dëmtuarit, Ylberi.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Istog, konflikti që dyshohet se ndodhi për shkak se i shtinte lopët në livadh

.