Shkrepja e armëve në mes Sadik Hajdarajt e Burim Lushajt në Pejë, Gjykata i shpall fajtorë të akuzuarit

Gjykata e Pejës ka shpallur fajtorë Sadik Hajdarajn për vepër penale vrasje në tentativë ndaj të dëmtuarit Burim Lushaj dhe për armëmbajtje pa leje, po ashtu fajtorë u shpall edhe Burim Lushaj për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm.

Sadik Hajdaraj për veprën e parë u dënua me 1 vit burgim efektiv, duke llogaritur këtu periudhën kohore prej 90 ditëve të kaluar në paraburgim, gjersa më 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Burim Lushaj u dënua nga gjykata me 2 vjet burgim të cilin dënim nuk do ta vuaj nëse brenda 3 viteve nuk kryen vepër të re penale si dhe dënim me gjobë prej 500 eurove.

Gjykata paraprakisht bëri ricilësim të veprës penale për të cilën akuzohej Hajdaraj dhe atë prej vrasje e rënde në tentative në vepër penale të vrasjes në tentative.

Trupi gjykues ishte në përbërje prej gjyqtareve Sami Sharraxhiu, Arben Mustafaj dhe Sejdi Blakaj.

Aktakuza ngarkonte Sadik Hajdarajn se me motive të hakmarrjes, ka tentuar ta privojë nga jeta Burim Lushajn, duke shtënë 8 herë në distancë prej 10 metra në drejtim të tij.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Lushaj ishte goditur me një predhë mbi gjurin e këmbës së majtë.

Nga ana tjetër, Burim Lushaj akuzohet nga Prokuroria se pasi ishte sulmuar nga Hajdaraj, kishte shtënë me armë 5 herë radhazi.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për ketë rast.

https://kallxo.com/ligji/i-akuzuari-dhe-i-demtuari-rrefejne-nga-sa-plumba-i-shkrepen-kunder-njeri-tjetrit/