Presidentët e Kosovës ndër vite. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkeljet kushtetuese si pasojë e moszgjedhjes së Presidentit të Kosovës

A e shkeli Kushtetutën Kuvendi i Kosovës kur e la vendin pa President në momentin kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga pozita pas ngritjes së aktakuzës për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale?

 

Shpeshherë Kushtetuta e Republikës së Kosovës është sfiduar nga veprimet e partive politike të përfaqësuara në Kuvend në çdo rast kur ka qenë në pyetje zgjedhja e institucioneve të larta shtetërore. Edhe pse kemi dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës (Aktgjykimi në Rastin KO 47/10 lidhur me Presidentin Fatmir Sejdiu, dhe Aktgjykimi në Rastin KO 29/11 lidhur me zgjedhjen e Presidentit Behgjet Pacolli), prapëseprapë partitë politike vazhdojnë të sfidojnë dispozitat kushtetuese të cilat rregullojnë zgjedhjen dhe funksionimin e Institucionit të Presidentit. Në vijim do të sqarohet se si Kuvendi ka shkelur dispozitat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit me anë të mosveprimit, konkretisht me anë të mos-zgjedhjes së Presidentit të ri, pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi.

Rrethanat faktike

Presidenti Thaçi, mandati i të cilit ka filluar më 7 prill 2016, dha dorëheqje më 5 nëntor 2020, mirëpo Kuvendi i kaluar nuk ndërmori as hapin më të vogël të zgjedhjes së Presidentit të ri. Ushtrimi i detyrës së Presidentit u bë nga Kryeparlamentarja znj. Vjosa Osmani. Rrjedhimisht, Kryeparlamentarja ushtroi një mandat presidencial jo ekzistues, pasi që me dorëheqjen e Presidentit Thaçi, mandati i tij duhej shpallur i përfunduar.

Më 6 janar 2021 u shpërnda Kuvendi i kaluar dhe zgjedhjet për Kuvendin e ri u mbajtën më 14 shkurt 2021. Kuvendi i ri u konstituua më 22 mars 2021, me ç’rast Kryeparlamentar i ri u zgjodh Glauk Konjufca i cili automatikisht u bë edhe Ushtrues detyre i Presidentit, përkundër faktit që mandati i Presidentit Thaçi ka përfunduar me rastin e dorëheqjes së tij.

Dispozitat relevante kushtetuese dhe analiza e tyre

Neni 87, par. 1 i Kushtetutës përcakton qartë afatin se kur duhet të zgjedhet Presidenti i ri. Në bazë të kësaj dispozite “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.” Kjo nënkupton që Presidenti i ri duhet të jetë i zgjedhur më së voni 30 ditë para se të përfundojë mandati i Presidentit aktual.

Mandati i Presidentit Thaçi ka filluar më 7 prill 2016, pasi që në këtë ditë e ka dhënë betimin në Kuvend. Kështu e përcakton neni 87, par. 1 i Kushtetutës, sipas të cilit: “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës.” Duke pasur parasysh që mandati i Presidentit të Kosovës zgjatë 5 vjet, atëherë mandati i Presidentit Thaçi do të duhej të përfundonte më 7 prill 2021.

Në bazë të dispozitës 87, par. 1 të përmendur më lartë, Presidenti i ri do të duhej të ishte i zgjedhur më së voni më 7 mars 2021, sepse kjo dispozitë obligon që zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.” Megjithatë kjo ka qenë e pamundur të bëhet shkaku që Kuvendi i ri ende nuk ishte konstituuar.

Afati kushtetues i zgjedhjes së Presidentit të ri, 30 ditë para se t’i përfundojë mandati Presidentit aktual, është një zgjedhje e duhur dhe mundëson tranzicion më të kontrolluar dhe më të lehtë të detyrës nga Presidenti aktual te Presidenti i ri. Presidenti i ri zgjedhet në Kuvend 30 ditë para se t’i përfundojë mandati Presidentit aktual, mirëpo nuk e fillon mandatin derisa ta japë betimin në Kuvend, prandaj duhet të respektohet praktika kushtetuese që betimi i Presidentit të ri të bëhet në ditën kur i përfundon mandati Presidentit aktual. Kështu ka ndodhur me rastin e betimit të Presidentit Thaçi, i cili u betua në Kuvend në ditën kur ish Presidentes Atifete Jahjaga i përfundoi mandati, më 7 prill 2016, megjithëse Presidenti Thaçi ishte zgjedhur në Kuvend më 26 shkurt 2016.

Zgjedhja e Presidentit të ri 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual ka rëndësi të madhe edhe në evitimin e vakuumit institucional në rast të mos- zgjedhjes së Presidentit. Neni 82, par. 1, pika (3) i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi do të shpërndahet nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.” Bazuar në këtë dispozitë, veprimi i duhur është që procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri të fillojnë 60 ditë para ditës së fundit kur duhet të zgjedhet Presidenti i ri (30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual). Nëse Presidenti i ri nuk do të zgjedhet brenda këtij afati 60 ditor, atëherë Presidenti aktual do të jetë ende duke e ushtruar mandatin e tij dhe posti i Presidentit nuk do të ngelet i zbrazët.

Një zgjidhje e ngjashme me Kushtetutën e Kosovës është e adaptuar në Kushtetutën e Hungarisë, e cila në nenin 11 të saj përcakton që: “Presidenti i ri do të zgjedhet jo më herët se 60 ditë, por jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit të kaluar të Republikës, ose siç mund të jetë rasti, brenda 30 ditëve në rast të përfundimit të parakohshëm të mandatit të Presidentit.”

Kushtetuta e Hungarisë, për dallim nga Kushtetuta e Kosovës, e parasheh shprehimisht edhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Presidentit (Neni 12, par. 3 i Kushtetutës së Hungarisë) dhe përcakton që në çdo rast kur mandati i një Presidenti përfundon para kohe, siç mund të jetë rasti i dorëheqjes, apo vdekjes së një Presidenti, atëherë Kuvendi duhet të zgjedhë Presidentin e ri brenda afatit 30 ditor.

Kushtetuta e Kosovës nuk e rregullon shprehimisht përfundimin e parakohshëm të mandatit të Presidentit, por vetëm e rregullon mungesën e përkohshme të tij me anë të nenit 90 të saj. Kjo dispozitë i jep të drejtën Kryeparlamentarit që ta zëvendësojë Presidentin kur ky i fundit përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij. Prandaj duhet të bëhet dallim mes përfundimit të parakohshëm të mandatit të Presidentit dhe mungesës e përkohshme të Presidentit. Kryeparlamentarit i jepet e drejta në bazë të Kushtetutës vetëm ta ushtrojë detyrën e Presidentit në rastin e mungesës së përkohshme të tij, por jo edhe në rast të përfundimit të parakohshëm të mandatit të tij.

Në kohën kur ish Presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje, Kuvendi i Kosovës ka qenë funksional dhe menjëherë është dashur që të fillojë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri në bazë të nenit 65, par. 1 pika (7) lidhur me nenin 86 të Kushtetutës, sepse dorëheqja e Presidentit nënkupton përfundim të mandatit të tij. Përkundrazi, Kuvendi nuk ndërmori asnjë hap për zgjedhjen e Presidentit të ri duke lënë Kryeparlamentarin si ushtrues detyre të Presidentit, edhe pse në fakt një mandat i Presidentit nuk ka ekzistuar.

Aktualisht jemi një javë pas konstituimit të Kuvendit të ri dhe një javë më afër ditës kur bëhen 5 vjet nga fillimi i mandatit të Presidentit Thaçi, mirëpo ende nuk kanë filluar procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri. Në këtë mënyrë, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend kanë shkelur obligimin kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri duke injoruar tërësisht dispozitat kushtetuese të nenit 65, par. 1 pika (7) si dhe nenit 86, të cilat obligojnë Kuvendin që të zgjedhë Presidentin e Republikës. Përveç kësaj, disa parti politike janë zotuar se do të vazhdojnë të shkelin këtë obligim duke bojkotuar seancën e zgjedhjes së Presidentit të ri kurdo që të mbahet.

Për të evituar shkelje të këtilla kushtetuese në të ardhmen si dhe për të evituar degradimin e rolit kushtetues të Presidentit të shtetit nevojitet një amandamentim i Kushtetutës i cili do të mundësonte zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga populli. Gjithashtu, nevojitet amandamentimi i Kushtetutës në mënyrë që të rregullohet shprehimisht përfundimi i parakohshëm i mandatit të Presidentit dhe procedurat që duhet të ndërmerren në rast të zgjedhjes së Presidentit të ri pas përfundimit të parakohshëm të mandatit të Presidentit.

Konkluzionet

Kuvendi i Kosovës ka shkelur dispozitat kushtetuese si pasojë e mos-zgjedhjes së Presidentit të ri pas dorëheqjes së Presidentit të kaluar.

Dorëheqja e Presidentit nënkupton përfundim të parakohshëm të mandatit të tij dhe në këtë rast Kuvendi duhet menjëherë të fillojë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Kryeparlamentari ka të drejtë të ushtrojë detyrën e Presidentit vetëm në rast të mungesës së përkohshme të Presidentit, por në asnjë rast pas përfundimit të mandatit të tij.

 

Arbnor Murturi është Jurist i Diplomuar dhe Master i së Drejtës Kushtetuese. Studimet Bachelor dhe Master në Fakultetin Juridik i ka kryer në Universitetin e Prishtinës. Ai është themelues dhe drejtor ekzekutiv i Zyrës për Shërbime Juridike “Law Direction” me seli në Podujevë.