Shkaqet pronësore dyshohet se çuan në tentim vrasje
Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën e Gjilanit, ndaj të pandehurve N. H., N. B., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’ dhe për armëmbajtje pa leje.
Ndërsa, ndaj të pandehurit A. B., për veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria e Gjilanit më datë 09.08.2024.
Sipas kërkesës së Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri N. H., më 08 Gusht 2024, rreth orës 10:07 minuta, në komunën e Vitisë, me dashje ka tentuar t`i privoj nga jeta të pandehurit N. B. dhe A. B., për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore.
“Sapo i sheh të njëjtit që me djemtë e tyre kishin shkuar në pronën kontestuese, shkon në shtëpinë e tij, merr një armë automatike AK-47 dhe gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, me ç’rast të pandehurin N. B. e plagos në këmbë, ndërsa të pandehurin A. B. e plagos në të dy këmbët”.
Tutje, në komunikatë thuhet se i pandehuri N. B., e kishte armën e zjarrit me vete dhe sapo e sheh që i pandehuri N. H., nga shtëpia e tij kishte dalë me armë, gjuan disa herë në drejtim të tij.
I njëjti nuk arrin ta qëllojë, por në këtë mënyrë ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së tij, e cila ishte me të.
Në anën tjetër, ndaj të pandehurit A. B., dyshohet për armëmbajtje pa leje, e cila është gjetur pas kontrollit në shtëpinë e tij.
Armët e të pandehurve janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor.