Shkaku i COVID-19, shtyhet gjykimi ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve për subvencionet e komunës

Gjykimi ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për subvencionet e shpërndara në Gjakovë, pas tre muajsh nga mbajtja e seancës së fundit, ishte planifikuar që të vazhdonte sot nën udhëheqjen e kryetarit të trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, mirëpo ajo nuk u mbajt.

Për seancën e radhës gjyqtari Shaqir Zika tha se palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Shtyrja u bë për shkak se njëri ndër të akuzuarit ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Në sallë të gjykimit ishtin prezent dy të akuzuar dhe avokatët e tyre.

Seanca e kaluar ishte shtyrë me kërkesë të prokurorit.

Pal Lekaj për kohën sa ka qenë në krye të komunës së Gjakovës po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e bashkë me të për keqpërdorim pozite po akuzohet Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

29 qershori ishte data e mbajtjes së seancës së fundit, në të cilën seancë ishte propozuar që të bëhej edhe një ekspertizë e re financiare.

Sot është dashur që të prezentohet ekspertiza e re financiare.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit të subvencioneve dhe shmangies nga tatimi.

Poashtu, Rama po akuzohet për 218 mijë euro për shpërndarjen e subvencioneve.

Prokuroria Speciale, po akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat e përcaktuara.

Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro, thuhet në aktakuzë.

Në këtë rast, ish-kryetari i komunës se Gjakovës tash ministër i Infrastrukturës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e drejtorisë për bujqësi Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangje nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrur Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikmëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezentuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Ky rast është shënjestruar për liberalizim të vizave.