Shkaku i coronavirusit i akuzuari mbetet në Dubai, shtyhet seanca ndaj tij

Në Gjykatën e Ferizajt ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Naser Hoxha, i cili nga Prokuroria akuzohet për ndërtime të kundërligjshme.

Avokati i tij Miftar Islami, ishte prezent dhe i tregoi gjyqtarit Ibrahim Idrizi, arsyen pse mungon i akuzuari Naser Hoxha.

Avokati Islami tha se i mbrojturi i tij gjendet në Dubai dhe shkaku i kufizimeve të fluturimeve për coronavirusin ai ka mbetur atje.

“Naser Hoxha para disa dite ka udhëtuar për në Dubai dhe sipas planit të fluturimit ai është dashur të kthehet të shtunën, mirëpo për arsye të kufizimeve të fluturimeve për coronavirusin i njëjti ka mbetur deri me sot atje”, tha avokati Islami.

Gjyqtari i rastit Ibrahim Idrizi mori vendim që seanca e sotme në mungesë të të akuzuarit të shtyhet në kohë të pacaktuar, derisa të kthehet i pandehuri në Kosovë.

Naser Hoxha nga Prokuroria akuzohet se me datë 21 dhjetor 2010 në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në cilësinë e pronarit të kompanisë ‘’Rubin Invest’’, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërtim.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari me rastin e kryerjes së ndërtimit të objektit banesor “Centrumm 2’’ ka vepruar në kundërshtim me lejen për ndërtim,

I pandehuri sipas Prokurorisë ka tejkaluar lejen e ndërtimit, duke ndërtuar tre kate shtesë, me ç’rast ka paraqitur rrezik për jetën e njerëzve dhe pasurinë në vlerë të madhe.

Bashkë me të akuzoheshin edhe Qazime Vata, Agim Dërguti, Afërdita Bibaj,  Xhavit Topalli, këta për keqpërdorim të pozitës zyrtare,

Por ndaj tyre gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues, dhe procedura ka vazhduar vetëm me Naser Hoxhën, i cili nga gjykata ishte dënuar.

Por me ankesë në Gjykatën e Apelit, rasti është kthyer në ri- gjykim, si dhe është vërtetuar për pjesën refuzuese për të pandehurit Qazime Vata, Agim Dërguti, Afërdita Bibaj dhe Xhavit Topalli.