Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Shkaktoi aksident me fatalitet në gjendje të dehur, Apeli ia rriti dënimin me burgim

Luan Lajqi ishte dënuar nga Gjykata e Pejës me 4 vjet burgim për aksidentin që kishte shkaktuar e në të cilin kishte vdekur një person.

Lajqi u shpall fajtor pasi në momentin kritik, ishte duke vozitur në gjendje të dehur duke shkaktuar kështu aksident me fatalitet, ku nga plagët e marra ka ndërruar jetë Mentor Krasniqi.

Me aprovimin e ankesës së prokurorisë dhe palës së dëmtuar, gjykata e apelit e ka ndryshuar vendimin e shkalles së parë, duke e rritur dënimin në 4 vjet e 10 muaj.

Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë i ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit me burgim prej 4 viteve dhe dënimi plotësues-marrja e lejes së vozitjes në kohëzgjatje prej një viti, dhe si i tillë ky dënim është i ulët dhe me të nuk arrihet qëllimi i dënimit.

“Gjykata e Apelit konsideron se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit është i ulët dhe me të njëjtin dënim nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë me nenin 38 të KPRK-së, andaj edhe i aprovoi si të bazuara ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ankesën e palës së dëmtuar, duke ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe i shqiptoi të akuzuarit dënim si në dsipozitiv të këtij aktgjykimi, me bindje se me dënimin e shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së dytë do të arrihet qëllimi i dënimit”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit këtë vendim e ka marrë në përbërje prej kolegjit të gjyqtarëve, Driton Muharremi si kryetar i kolegjit, dhe anëtarëve, Abdullah Ahmeti dhe Kreshnik Radoniqi.

Ndërsa ankesa e mbrojtësit se të akuzuarit Luan Lajqi, avokatit Mustafë Kastrati, është refuzuar si e pabazuar.

Natën e 6 shkurtit të këtij viti Mentor Krasniqi, ishte nisur nga vendi i tij i punës për në shtëpi. Por, 45 vjeçari nga Peja përderisa ishte në veturë, ishte goditur nga një veturë tjetër duke pësuar lëndime vdekjeprurëse.

KALLXO.com ka siguruar edhe aktakuzën për këtë rast penal.

Dosja e prokurorisë thotë se i akuzuari duke qenë në ndikimin e alkoolit, ka vozitur me shpejtësi prej 117 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 30 km/h.

Po ashtu sipas prokurorisë i akuzuari pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u lajmëruar me vonë në polici.

“ …i ndjeri M. K., e i cili në ato momente ishte duke u kyçur nga rruga dytësore nga ana e djathtë në rrugën kryesore dhe si pasojë e goditjes edhe gjen vdekjen”, thuhet në dispozitiv të aktgjykimit.

I akuzuari Lajqi në seancën fillestare, e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.