Prapa grilave - Ilustrim

Shfrytëzuan për shërbime seksuale vajzën me probleme mendore, dënohen me burgim

Gjykata e Ferizajt, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H. B., i akuzuar për veprën penale trafikimi me njerëz.

Bashkë me H. B., në këtë rast po akuzohej edhe B. B., për shkak të veprës penale shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit.

H. B., Gjykata e shpalli fajtor për veprën penale trafikimi me njerëz dhe të njëjtit i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej treqind (300) euro.

Kurse të Kuzuarin B. B., për veprën penale shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet.

Sipas Prokurorisë H. B., se gjatë vitit 2020 në Ferizaj dhe Kaçanik, ka keqpërdorur në vazhdimësi pozitën e ndjeshme të viktimës N. Xh., e cila është me prapambetje mendore, dhe se të njëjtën e mban nën kontroll dhe e shfrytëzon për qëllime seksuale, duke i siguruar edhe persona të ndryshëm për këtë qëllim.

Gjithënjë sipas Prokurorisë, B. B., akuzohej se nga muaji janar deri në muajin gusht 2020, në Kaçanik dhe Ferizaj, ka shfrytëzuar shërbime seksuale të viktimës së trafikimit, edhe përkundër faktit se ka qenë në dijeni se viktima N. Xh. është person posaçërisht i ndjeshëm për shkak të prapambetjes mendore.

Gjykata ka njoftuar se të akuzuarit që janë dënuar, në seancen gjyqësore e kanë pranuar fajësinë.

“Kryetari i trupit gjykues ka veçuar procedurën penale kundër të akuzuarve G. D. dhe G. R., meqë të njëjtit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale siç i ngarkon aktakuza, ndërsa të akuzuarit A. B. dhe Sh. B., për shkak se nuk ka mund të sigurohet prania e tyre”, ka njoftuar Gjykata e Ferizajit.