Shefit të zyrës së personelit në komunën e Pejës i parashkruhet akuza në prill?

 

Ndaj Shefit të Zyrës se Personelit në Drejtorinë për Administratë Komunale të Komunës së Pejës, Muhamet Kelmendi, me 28 prill të këtij viti arrihet parashkrimi absolut i veprës penale që i vihet në barrë – cenimi i të drejtave në marrëdhënien e punës nga neni 221 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lënda për të cilën akuzohet shefi i personelit i është dorëzuar Gjykatës së Pejës me 30 shtator të vitit 2016.

Qe nga ajo kohë Gjykata e Pejës nuk e ka mbajtur as edhe një seancë të vetme gjyqësore për këtë rast.

Vepra penale që i vihet në barrë Kelmendit është e dënueshme me një vit burgim.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, llogaritja e vjetërsimit të lëndës penale fillon të rrjedhë nga momenti i kryerjes së veprës penale.

Vepra penale qe i vihet në barrë Kelmendit, sipas aktakuzës është kryer më 28 prill 2016, ndërsa legjislacioni parasheh qe për vepra penale të dënueshme me dënim me burgim deri në një (1) vit apo dënimi me gjobë, vjetërsimi i tyre bëhet pasi të kenë kaluar 2 vite.

Sipas legjislacionit parashkrimi absolut i ndjekjes penale paraqitet kur kalon dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin, pa marrë parasysh në ndërprerjet apo ndaljet eventuale të mëparshme.

Në rastin konkret, Muhamet Kelmendi, akuzohet se ka kryer veprën penale prej me 28 prill 2016, dënueshmëria është deri në 1 vit, dhe me 28 prill 2020 do të arrijë parashkrimi absolut i kësaj vepre penale.

Muhamet Kelmendi akuzohet nga Prokuroria e Pejës se me 28 prill të vitit 2016 me vetëdije nuk e ka zbatuar ligjin mbi marrëdhënien e punës, dhe të dëmtuarit Hysni Selmanaj, ia ndërprenë marrëdhënien e punës si Drejtor i Auditimit të brendshëm.

Fillimisht të dëmtuarit i ishte shqiptuar masa disiplinore, pezullimi për tre muaj, e më pas ndaj të njëjtit me aktvendim pezullohet menjëherë nga marrëdhënia e punës me 50% të pagës se tij.

Edhe Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri akuzohej se si person përgjegjës në cilësinë e kryetarit të komunës, refuzoi të zbatojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës se Apelit, i cili vendim e obligonte atë që ta kthejë në vendin e punës Hysni Selmanajn, ish-drejtor i Auditimit të Brendshëm në komunën e Pejës.

Gjykata e Pejës e kishte hedhur poshtë akuzën ndaj Muhaxherit, e pastaj këtë vendim e vërtetoi Gjykata e Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës se Apelit, pretendimet ankimore të Prokurorisë së Pejës janë të pabazuara dhe se Gjykata e Pejës, ka vepruar drejtë kur e ka hedhur poshtë akuzën kundër Muhaxherit, duke pushuar kështu procedurën penale, pasi që sipas Apelit nga shkresat e lëndës shihet se veprimet Muhaxherit nuk përbëjnë vepër penale dhe se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar se ai ka kryer vepër penale.

Lëndët ku palë e dëmtuar ishte drejtori i auditimit, Hysni Selmanaj, si rasti i Gazmend Muhaxherit ashtu edhe Muhamet Kelmendi i ishin ndarë gjykatësit Sejdi Blakaj.

Hysni Selmanaj, e quajti ‘politik’ vendimin e Gjykatës në Pejë që ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri.

Selmanaj është ndarë i pakënaqur me këtë vendim ndërsa ia përmendi gjyqtarit të rastit, Sejdi Blakaj, edhe punësimin e vajzës së tij si arsimtare në një shkollë të Pejës.

Kur është pyetur nga KALLXO.com për pretendimet e Selmanajt për punësimin e vajzës së tij, Blakaj i hodhi poshtë akuzat.

“Vajza ime është e diplomuar qe 5 vite, ndërsa si zëvendësim i një arsimtareje punon në shkollën “7 Shtatori”, por që kjo punë i ka dy vite prej që e njëjta punon si zëvendësim, pa vendim”, tha gjyqtari Sejdi Blakaj për KALLXO.com.