Gjykimi i policëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare. FOTO-Bahrie Sadiku/KALLXO.com

Shefi i policëve dëshmon në gjykimin ndaj policëve të akuzuar

Dy zyrtarë policor Nebojsha Vukojeviq dhe Sreçko Janiçijeviq, i pari nga Zveçani, kurse tjetri nga Leposaviqi janë ulur në karrigen e të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare për pjesëmarrje në një konflikt mes disa qytetarëve për një borxh

Gjatë seancës se mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar Millan Llaziq, shef i sektorit B në Stacionin Policor në Leposaviq.

Llaziq duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Miodrag Bërklaq, ka thënë se kishte qenë vetë ai i cili kishte dhënë urdhrin për dërgimin e dy zyrtarëve policorë tani të akuzuarve tek pompa e benzinës në Leshak, ku ishte raportuar se kishte ndodhur një mosmarrëveshje mes të dëmtuarit Jugosllav Andrik dhe Dejan Veljkoviq.

Po ashtu Llaziq ka thënë se kur dy zyrtarët policorë tashmë të akuzuar kishin mbërritur në vendin ngjarjes e kishin telefonuar dhe i kishin thënë se aty nuk kishte punë për Policinë.

“ Më kanë thënë se nuk ka punë për Policinë se ata po largohen nga vendi i ngjarjes, se personat janë marrë vesh mes vete që do ta shkruajnë raportin kjo është e tëra “, ka thënë Llaziq.

Tutje, Llaziq  tha se kolegët e tij tani të pandehurit e kishin njoftuar se problemi kishte qenë rreth një borxhi.

“ Kur kanë ardhur të shkruajnë raportin më kanë sqaruar, që ai person nga Kraleva ka marrë drunj, ai ka marrë dru nga Dejani i  cili është i fshatit Leshak që para ardhjes së tyre janë marrë vesh dhe kjo ka qenë e tërë ngjarja të cilën unë e di, që nuk janë rrahur mes vete… Përveç që iu kanë marrë letërnjoftimet që të kenë evidencë me kë po folin, asnjë konflikt nuk kanë pasur “, tha Llaziq.

Gjithashtu Llaziq ka thënë se i dëmtuari Jugosllav Andrik kishte shkuar në Stacionin Policor në Leshak për të paraqitur ankesën ndaj zyrtarëve policorë lidhur me rastin, mirëpo të njëjtin e kishte drejtuar në Stacionin Policor në Leposaviq lidhur me çështjen që e kishte potencuar se Vukojeviq dhe Janicieviq e kishin detyruar t’i jepte të holla Dejan Veljkoviqit.

Dëshmitari ka thënë se të akuzuarit i njeh pasi që ka punuar me ta dhe se punën e tyre e kanë kryer në mënyrë profesionale dhe me ndershmëri.

“ Sreqko ende është punëtor i imi, polic, ndërsa Nebojsha punon në trafikun rrugor. Mund të garantoj se janë policë të mirë dhe të ndershëm “, ka thënë Llaziq.

Në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe Vlladan Vuqkoviq i cili ka deklaruar se e njeh të dëmtuarin Andrik, mirëpo sa i përket çështjes lidhur me rastin për të cilin po akuzohen policët, i njëjti ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për rastin që kishte ndodhur tek pompa e benzinës në Leshak.

Sipas akuzës të akuzuarit Vukojeviq dhe Janiçijeviq, të dy zyrtarë policorë u bënë pjesë e një konflikti mes disa qytetarëve për një borxh.

Në akuzë thuhet se Janiçijeviq dhe Vukojeviq e kishin detyruar të dëmtuarin Jugoslav Andriq, që t’ia jap Dejan Veljkoviqit 360 euro.

E gjithë ngjarja sipas Prokurorisë kishte ndodhur në korrik të vitit 2016 kur Andriq kishte shkuar në fshatin Drenov për të blerë dru nga personi Vladan, ndërsa aty kishte shkuar edhe Dejan Veljkoviq.

Veljkoviq po kërkonte nga Andriq para në shumën prej 400 euro për drunjtë të cilat ia kishte shitur para një viti, ndërsa Andriq ishte përgjigjur se drunjtë atëherë ia kishin konfiskuar policia pasi që nuk kanë qenë të vulosura.

Prokuroria thotë se atëherë Veljkoviq filloi ta kërcënojë të dëmtuarin se do ta thërras një person që do ta djegë kamionin e tij nëse nuk i jep paratë, ose do ta thërrasë vëllain e tij polic për t’ia marrë paratë.

Më pastaj Dejani kishte thirrur në telefon policinë të cilët kishin arritur pas 10 – 15 minutave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, njëri polic tani i akuzuari, Nebojsha Vukojeviq e kap për dore të dëmtuarin Andriq, i cili ishte në kamion. Vukojeviqit i ka ndihmuar edhe polici, tani i akuzuari, Sreqko Janiçijeviq të cilët e kishin tërhequr të dëmtuarin Andriq 5 deri 6 metra duke e afruar deri te automjeti i policisë.

Kurse duke e kërcënuar se do ta dërgonin në Gjykatë në Vushtrri, apo nuk do ta lëshonin nga vendi ku ishte, e detyrojnë Andriq që t’ia jap paratë Dejanit.

E gjitha kjo sipas akuzës ishte parë nga dy dëshmitarët Radisha Llazoviq dhe Sllobodan Pandriq të cilët kishin qenë në kamion dhe po e vështronin ngjarjen.

Prokuroria thekson se i dëmtuari Andriq nën presionin e policëve kishte nxjerrë nga xhepi paratë në shumë prej 360 euro dhe në prezencë të tyre ia jep paratë dëshmitarit Dejan, ndërsa ky i fundit iu thotë policisë “lironi tani Jugosllavin”.

Më këtë prokuroria i ngarkon policët me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.