Shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës e kundërshton aktakuzën

Durim Sheremeti, shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, e ka kundërshtuar sot aktakuzën, e cila e ngarkon me veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Përveç tij, në këtë rast të akuzuar po ashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë edhe Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala. Kurse, Ilir Kelmendi po akuzohet për mashtrim.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Pejës, i pandehuri Durim Sheremeti e kundërshtoi aktakuzën dhe provat në aktakuzë, me arsyetimin se me rastin e analizimit të shkresave të lëndës ka vërejtur mospërputhje, duke shtuar se në asnjë shkresë nuk është cekur përshkrimi i detyrave të tija të punës.

“Më gjerësisht unë pretendimet e mia i kam deklaruar në kundërshtimin me shkrim”, tha Sheremeti.

Prokurori i rastit, Agron Galani, tha se të pandehurit Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala pretendojnë pafajësinë e tyre duke kundërshtuar akuzën dhe provat mbi të cilat është ngritur aktakuza pa e potencuar fare se cilat janë këto prova por vetëm duke i përmendur në mënyrë të përgjithshme.

Sa i përket kundërshtimit  të të akuzuarit Durim Sheremeti, prokurori  tha se ky kundërshtim është bërë vetëm në mënyrë deklarative.

Prokurori tha se i akuzuari si shkak potencoi mungesën e përshkrimit të detyrave të vendit të punës, duke nënvizuar se në shkresat e lëndës është kontrata e punës për të njëjtin.

Sa i përket kundërshtimit të mbrojtësit të të akuzuarit Ilir Kelmendi, avokatit Flamur Kelmendi, prokurori i propozoi Gjykatës që ai kundërshtim të refuzohet si i pabazuar, me arsyetimin se “avokati Kelmendi ka bërë vetëm përshkrimin e aktakuzës”.

Prokurori shtoi se nuk qëndron pretendimi i mbrojtësit se aktakuza është përpiluar në kundërshtim me nenin 241 par.1 pika 1.4 të KPP-se, sepse po të ekzistonte kjo Gjykata do të hidhte aktakuzën apo do ta kthente në përmirësim.

Tutje prokurori Galani tha se sa i përket pretendimeve të mbrojtësit se sipas aktakuzës nuk janë dhënë shpjegime relevante se në cilat prova ka gjetur se i pandehuri është kryes i veprës penale, prokurori tha se nëse mbrojtësi ka lexuar arsyetimin e aktakuzës aty në mënyre të qartë janë të përshkruara provat në të cilat është ngritur aktakuza.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar – Komuna e Pejës, avokatja Drita Sopi tha se nuk ka diçka për të deklaruar.

Gjyqtari Sami Sharraxhiu do të vendosë lidhur me kundërshtimet e parashtruara nga ana e të akuzuarve dhe varësisht prej rrjedhës së procedurës penale do të caktohet shqyrtimi i radhës.

KALLXO.com raportoi nga seanca e kaluar kur të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë.

Shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit deklarohet i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë

Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, akuzohet se në këtë pozitë, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit pa qenë i autorizuar për nënshkrimin e këtij raporti.

Me këtë veprim ai akuzohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit e tjerë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, si persona zyrtarë në Komunën e Pejës, anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur kanë nënshkruar raportin për pranim të mallit pa verifikuar plotësimin e kushteve qe kërkohen.

Në anën tjetër, Ilir Kelmendi akuzohet se në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, ka paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Më këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në vlerë prej 9,929 euro.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!