Shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit deklarohet i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë

Shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Pejës, Durim Sheremeti është ballafaquar në Gjykatën e Pejës me akuzën e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Krahas tij si të akuzuar për këtë rast janë edhe Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala, poashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe i akuzuari Ilir Kelmendi për mashtrim.

Gjatë seancës se sotme të gjithë u deklaruan të pafajshëm për veprat qe u vihen në barre nga Prokuroria.

Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, akuzohet se në këtë pozitë, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit pa qenë i autorizuar për nënshkrimin e këtij raporti. Me këtë veprim ai akuzohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës.

Sipas dosjes se prokurorisë, të akuzuarit tjerë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, si persona zyrtarë në Komunën e Pejës, anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur kanë nënshkruar raportin për pranim të mallit pa verifikuar plotësimin e kushteve qe kërkohen.

Në anën tjetër, Ilir Kelmendi akuzohet se në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, ka paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Më këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në vlere prej 9,929 euro.

Seanca e radhës mbahet me datë 1 Nëntor 2019 në ora 14 e 30.