Shaban Gogaj vjen në gjykatë pa avokat, gjykata thotë se do marrin të gjitha masat për vazhdimin e gjykimit

Pas gati 5 muaj pa seanca gjyqësore, sot para gjykatës së Pejës është sjellë Shaban Gogaj për t’u përballur me akuzën për vrasjen e Agonis Tetajt.

Bllokimi i procesit gjyqësor kishte ardh pasi gjykata kishte përjashtuar dhe shqiptuar dënim me gjobë ndaj mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Besnik Berisha.

Gogaj në seancë deklaroi se ai nuk ka caktuar ndonjë avokat tjetër.

“Jo unë një kërkesë të kam drejtuar ty, tjetër s`kam çka me shtu”, tha Gogaj.

Gjykatësja Violeta Husaj- Rugova e njoftoi që avokati Besnik Berisha është përjashtuar nga kjo çështje, dhe ai vendim nuk mund të atakohet në këtë fazë të procedurës, deri në marrjen e një vendimi meritor nga gjykata

“Ai është përjashtuar nga rasti, rishtazi fillon gjykimi për ty, vendimi për përjashtimin e avokatin është  i paapelueshëm deri në një vendim meritor të kësaj gjykate”, tha gjykatësja Husaj- Rugova.

Gjykatësja Husaj- Rugova tha se përkundër përpjekjeve për të siguruar një avokat për të akuzuarin, kjo nuk ka qenë e mundshme.

Ajo tha se do të marrin të gjitha masat ligjore për të krijuar kushtet për vazhdimin e kësaj çështje penale.

Gjykatësja tha se meqenëse OAK po refuzon të caktojë një mbrojtës për Gogajn, gjykata tutje do i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë çështje.

“Neni 44 mbi avokatinë, i drejtohemi Ministrisë së Drejtësisë, ose përmes KGJK, për të njoftuar për vendimet e OAK për mos me caktu avokat sipas detyrës zyrtare”, tha Husaj- Rugova.

Gjykata shpjegoi rrjedhën e kësaj çështje prej momentin kur është përjashtuar avokati Besnik Berisha.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës, gjykata ka ndërprerë seancën e sotme.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 29 dhjetor 2021.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK