Shaban Gogaj pa avokat, dështon përsëri seanca ndaj tij

Shaban Gogaj është sjellë sërish sot në Gjykatën e Pejës për t’u ballafaquar me akuzën për vrasjen e Agonis Tetajt.

Por Gogaj u paraqit në seancë pa avokat, andaj seanca nuk pati kushte që të vazhdojë.

Gjykatësja Violeta Husaj- Rugova tha se avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Gëzim Kollqaku, e ka refuzuar pranimin e ftesës për seancë.

“I kontaktuar nga ana e gjykatës për refuzimin e pranimit të ftesës, i njëjti ka deklaruar se do të paraqes arsyet me shkrim, mirëpo ne deri në këtë moment nuk kemi marrë ndonjë parashtresë nga ana e tij”, tha gjykatësja.

Ndërsa Shaban Gogaj tha se avokati i tij është Besnik Berisha.

“Unë e kam avokatin Besnik Berisha, avokat tjetër s`kam nevojë me angazhu”, tha Gogaj.

Gjykatësja në këto rrethana seancën e ka ndërprerë duke caktuar datën e radhës me 31 janar.

Për avokatin Kollqaku, trupi gjykues tha se gjykata do të vendos jashtë seance duke vepruar sipas dispozitave ligjore.

Bllokimi i këtij procesi ka ndodhur pas përjashtimit dhe dënimit më gjobë të avokatit Besnik Berisha.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zvarritjet e këtij procesi që i gjeni në këtë LINK.