Foto: RTV 21

Sfidat ligjore në zgjidhjen e kurorëzimeve

Legjislacionit në Kosovë pritet t’i shtohet edhe një Kod tjetër, ai Civil. Hartimi i dokumentit bazik të së drejtës civile edhe pse ka nisur para pesë vitesh ende nuk ka përfunduar duke lënë të hapura shumë dilema dhe sfida në trajtimin e çështjeve civile.

Mirëpo, ndonëse kanë kaluar më tepër se 5 vite qysh nga fillimi i punimeve për hartimin e Kodit Civil, ky projekt ende nuk e ka marrë dritën jeshile të finalizimit.

Ligjet aktuale nuk kanë paraparë masa stimuluese në të cilat seancat e shkurorëzimit të çifteve do të përfundonin me shpejtësi dhe si rrjedhojë një shkurorëzim i thjeshtë i një çifti mund të kërkojë deri në 3 vite kohë në procedura gjyqësore.

Sipas avokates Merita Stublla-Emini, nisja e procesit të shkurorëzimit nis vetëm në vitin e dytë të dorëzimit të padisë ndërsa në rastin më të mirë pas tri vitesh lënda mund të përfundojë në Apel.

Përpos problemeve me kohën, juristët kanë vërejtur edhe probleme me caktimin e alimentacionit apo pagesës që njëri prind duhet ta kryejë për ta mbajtur fëmijën për të cilin kujdeset bashkëshorti tjetër.

Sipas avokates Stublla-Emini, gjykatat llogarisin vetëm një shumë bazë të standardit të jetesës në Kosovë e jo në bazë të standardit të jetës në familje.

“Në praktikën time nuk kam hasur që të interpretohet dhe zbatohet drejt neni 305, përkatësisht shtrirja e ushqimisë. Sipas këtij neni, vëllimi i ushqimisë varet nga standardi jetësor në martesë. Gjykatat pothuajse në të gjitha rastet vendosin alimentacionin duke u bazuar në standardin e jetesës në Kosovë, madje duke e shkelur edhe nenin 140 sipas të cilit kanë për obligim që të bëjnë hetime/kërkojnë shqyrtimin dhe analizën e provave me të cilat do të binden se vendimi lidhur me shkurorëzimin shkon në të mirë të fëmijëve ose bashkëshortes, e cila është e papunë”, thotë avokatja Stublla-Emini

Ajo më tej ka shtuar se sipas ligjit gjykatat janë të thirrura në zhvillimin e hetimeve gjatë trajtimit të këtyre rasteve e në asnjë formë nuk do të duhej që të vetëkënaqeshin nga pretendimet e palëve, siç thuhet që po ndodh vazhdimisht.

Sipas avokates Stublla-Emini gjatë procedurave gjyqësore për ndarjen e pasurisë në të gjitha nivelet shkelet parimi i ekonomizmit.

Avokatja pretendon që ndonëse në Ligjin për Familje është e përcaktuar që gjatë procedurave të zgjidhjes së martesës në rast se palët kanë pajtim atëherë mund të kryhet edhe procedura e ndarjes së pasurisë. Sipas saj ndonëse në ligj është e përcaktuar se me pajtimin e palëve kryhet edhe kjo procedurë, avokatja pretendon se edhe në rastet kur nuk ka marrëveshje në mes të palëve nuk konsiderohet që Gjykatat e kanë të ndaluar trajtimin edhe të kësaj çështjeje brenda një shqyrtimi gjyqësor. Zgjidhja e martesës dhe ndarja e pasurisë së përbashkët brenda një procedure sipas avokates do të ndikonte dukshëm në ekonomizimin e procedurës, zvogëlimin e lëndëve në gjykatë (pasi që nuk do të hapej një lëndë e re), si dhe reduktimin e shpenzimeve për palët.

“Mungesa e interpretimit vërehet edhe më shumë në çështjen e ndarjes së pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve. Përkundër që Ligji për Familjen e parasheh që ndarja e pasurisë së përbashkët bëhet me marrëveshje, i njëjti nuk e ndalon ndarjen e kësaj pasurie shprehimisht me ligj. Për më tepër, nëse norma do të interpretohej duke u bazuar në parimin e drejtësisë se “ajo që nuk është e ndaluar është e lejuar” do të ndihmonte palët që të zgjidhnin çështjet pronësore të cilat gjithmonë janë brenga më e madhe e familjes në ndarje. Udhëzimi nga gjykatat që palët për çështjen e ndarjes së pasurisë së përbashkët ta fillojnë një procedurë të re është në kundërshtim me parimin e ekonomizimit duke shkaktuar shpenzime për gjykatën dhe palët në procedurë”, ka deklaruar avokatja Merita Stublla-Emini.

Kurse, Erza Kurti nga Rrjeti i Grave ka deklaruar që mosprofilizimi i gjyqtarëve në trajtimin e këtyre rasteve po ndikon në interpretimin e gabuar të normave juridike.

“Interpretimi i duhur i normave juridike do të jetë i mundur atëherë kur ka gjyqtarë të specializuar në të drejtën familjare, që respektojnë Ligjin për Familjen dhe që nuk marrin vendime të ndikuar prej mentalitetit patriarkal”, ka thënë Kurti.

Për profesorin e së drejtës civile, Abdulla Aliu, mungesa e profesionalizmit te gjykatësit krijon shumë probleme.

“Marrëdhëniet familjare dallojnë nga marrëdhëniet tjera juridiko-civile sepse këtu kërkohet një qasje shumë më profesionale që mundëson realizimin e mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve në kontestet familjare, gjë që kjo për shkak të mentalitetit në Kosovë nuk kuptohet aq drejtë”, thotë profesori Aliu.

Zbatimin dhe interpretimin jo të duhur të normave juridike nga çështjet familjare profesori universitar e lidhi me mungesën e trajnimeve dhe përgatitjes së duhur të gjyqtarëve në Kosovë për trajtimin e këtyre çështjeve veçanërisht njohurive mbi interpretimin e normave të së drejtës ndërkombëtare.

“Në Kosovë është në rritje numri i martesave të shtetasve të Kosovës me shtetas të huaj dhe kontestet familjare tash marrin një dimension tjetër, kur përveç shtetësisë edhe vendbanimi i përhershëm ka ndikim në përcaktimin e zbatueshmërisë së legjislacionit nga e drejta familjare”, deklaroi profesori.

Përkundër ndryshimeve që pritet të bëhen me hyrjen në fuqi të Kodit Civil, profesori Aliu u shpreh se ende ka mangësi dhe ka nevojë që të bëhen ndryshime të reja, gjithnjë duke shmangur paqartësitë ekzistuese apo mungesat eventuale të ligjit ekzistues.

“Tashmë është hartuar drafti i Kodit Civil të Kosovës, një pjesë e të cilit e rregullon edhe të drejtën familjare, që ka përfshirë të gjitha ndryshimet e nevojshme. Drafti është në procedurë të diskutimit publik dhe do të duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, pas procedurave të parapara legjislative. Po ashtu, do të ishte mirë që të hartohet dhe miratohet një ligj i veçantë për ndërmjetësimin vetëm për kontestet familjare, të cilat mund të jenë objekt i ndërmjetësimit, gjë që do të ndihmonte shumë në efikasitetin e zgjidhjes së kontesteve familjare”, ka deklaruar profesori i të drejtës civile, Abdulla Aliu.

Tutje profesori i të drejtës civile ka dhënë edhe disa rekomandime për disa çështje që konsideron që duhet të adresohen/ndryshohen në Ligjin për Familjen.

-Për shembull kërkesa ligjore që fëmiu të dëgjohet në të gjitha fazat e procedurës kur bëhet fjalë për interesin e tij – këtu nuk është e qartë se nga cila moshë duhet të fillohet dëgjimi i fëmiut, se kush duhet të bëjë këtë, gjykata apo institucione tjera të specializuara, pastaj se ku duhet të bëhet dëgjimi i fëmiut lidhur me një kontest familjar. Duhet të qartësohet gjithmonë kur bëhet fjalë për dëgjimin, marrjen e mendimit, dhe dhënien e pëlqimit nga fëmiu.

-Pastaj një çështje shumë e diskutueshme është edhe e drejta e mbajtjes së bashkëshortit të shkurorëzuar, i cili nuk ka mjete për jetesë, sepse është pa afat, dhe kjo lidhet edhe me mundësinë e punësimit të personit të mbajtur.

-Vështirësi në të kaluarën ka krijuar edhe matja e kontributit për fitimin e pronësisë së përbashkët të bashkëshortëve në martesë apo bashkëjetesë, mirëpo me ndryshimet në Ligjin për familjen të Kosovës (Ligji NR. 06/L-077 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/32 për familjen i Kosovës) është ndryshuar kjo dispozitë juridike duke barazuar kontributin midis bashkëshortëve, ashtu që pronësia e tyre e fituar gjatë martesës gjithmonë do të jetë e barabartë, një e dyta e njërit dhe një e dyta e tjetrit. Pra ky ndryshim nënkupton se për ndarjen e pasurisë së fituar gjatë martesës do të merret parasysh parimi i solidaritetit të bashkëshortëve dhe nuk ka më vlerësim të kontributit që shpeshherë ka prolonguar procedurën e ndarjes së pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve.  

Po ashtu, lidhur me adoptimin mungon fakti se deri në cilën moshë një person ka të drejtë për të adoptuar fëmijë sepse është e kontestueshme se sa mund ta mbrojë interesin e fëmijës një person që për shembull ka moshën 70-vjeçare prandaj në të ardhmen, me ndryshimet e ardhshme, duhet të përcaktohet edhe ky kufi i moshës për të adoptuar.

Gjatë monitorimit të vazhdueshëm nëpër të gjitha gjykatat në Kosovë, BIRN ka vërejtur se ndonëse në praktikën tonë gjyqësore çdo ditë hasim në raste gjyqësore të cilat kthehen me disa herë në rigjykim, për shkak të interpretimit jo të saktë të normave juridike, asnjë nga gjyqtarët tanë nuk mban përgjegjësi se pse disa herë me radhë u prishën lëndët.

Madje përkundër numrit të madh të rasteve që kthehen në rigjykim, gjyqtarët tanë gjatë vlerësimit të performancës po dalin të jenë shembullorë.

Kurse sa i përket stërzgjatjes së procedurave, arsyetimi vihet te numri i vogël i gjyqtarëve që merren me trajtimin e këtyre çështjeve.

Lidhur me zgjidhjen e këtyre problematikave, BIRN ka rekomanduar që të rritet numri i gjyqtarëve si dhe është rekomanduar që gjatë vlerësimit të performancës së gjyqtarëve, rastet nga kontestet familjare të jenë pjesë e vlerësimit të tyre, gjë që do të ndikonte që gjyqtarët këto lëndë t’i trajtonin më me prioritet dhe seriozitet në të njëjtën kohë.

Me qëllim të analizimit të kësaj çështjeje, BIRN ka provuar të kontaktojë edhe me gjyqtarë të cilët merren drejtpërdrejt me trajtimin e këtyre lëndëve por të njëjtit nuk na kanë kthyer përgjigje.