Sërish ndërpritet gjykimi për 'Arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja'

Procesi gjyqësor i njohur si “Arratisja nga QKUK e Sami Lushtakut, Ismet Haxhës dhe Sahit Jashari”, u ndërpre për shkak të mungesës së të akuzuarit Bajram Dibrani.

Për mungesën e të akuzuarit Dibrani, avokati i tij deklaroi se “nuk e di pse nuk ka ardhur sot, por mundet me qenë i sëmurë nga boshti kurrizor”.

Gjykatësi i rastit Shashivar Hoti, vendosi që seancat e radhës të mbahen për datat 4 dhe 5 shkurt.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga QKUK-ja, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast – LINK