Sërish dalin para gjykatësit të akuzuarit për vrasjen e kushëririt të tyre

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë sot në Gjykatën e Gjilanit nën masa të rrepta të sigurisë.

Të akuzuarit sikurse në seancat e tjera edhe në seancën e sotme u sollën nën masa të rrepta të sigurisë për shkak të marrëdhënieve të acaruara në mes familjeve.

Tutje në seancë u dëgjua dëshmitari Arif Ismajli, i cili tha se të gjithë të akuzuarit i ka kusherinj. Ai tha se ka dhënë deklaratë në Polici dhe Prokurori dhe qëndron pranë të njëjtave.

“Prej mbas lufte ne e kemi shfrytëzuar një rrugë deri sa na kanë penguar tani të akuzuarit. Para se me vra këta Muhametin kemi pasur probleme sepse na pengonin në rrugë. Ditën kur ka ndodhur rasti Besmiri kish pas fillu me naj mbyll rrugën me bager edhe aty ka fillu konfilkti edhe pse unë u kam thënë hajdeni të mirremi vesh”, tha dëshmitari Arif Ismajli, vëllai i të ndjerit Muhamet Ismajli.

Tutje dëshmitari tha se i akuzuari Samet Ismajli, ka ardhur me veturë dhe nga aty ka nxjerr drunjë dhe hekura.

“Si ka ardhen Sameti m`ka goditur me dru në shpinë, nuk e kam pa kur mu ka afru, as nuk edi se pse m`ka godit, vetëm edi se m`ka thënë se ti je ba me kta. Mbas kësaj Sameti e ka goditur vllaun (Muhametin), në kokë me dru, mbas tij e ka goditur edhe Besmiri nga goditjet e të cilëve ka rënë në tokë dhe ka vdek”, tha tutje dëshmitari Ismajli.

Marrja në pyetje e dëshmitarit Arif Ismajli, vazhdoi deri në përfundim të orarit të punës duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: LINK 

Seanca e sotme do të vazhdoi më 05 tetor.