Sekretari i ministrisë së MPHI në gjykatë | Foto: Kallxo.com | 09.10.2024

Sekretarit të MMPHI-së, Izedin Bytyqit i vazhdohet arresti shtëpiak

Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar edhe për 1 muaj masën e arrestit shtëpiak, sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqit, nën dyshimin për veprat penale – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe – armëmbajtje pa leje.

Vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak edhe për një muaj tjetër e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi më 14.11.2024.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I. B.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

“Të pandehurit I. B. i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej (1) muaj, respektivisht deri me datë 08.12.2024” – thuhet tutje në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

I dyshuari Izedin Bytyqi gjendet nën masën e arrestit shtëpiak nga data 09.10.2024.

Lidhur me këtë rasti i dyshuar tjetër është edhe Naser Hafizi i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 11.10.2024.

KALLXO raportoi sot se edhe zyrtarit të MMPHI-së, Naser Hafizi, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë lidhur me dyshimet për faljen e borgjeve – taksën ujore kompanive ambalazhuese.

Vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë e ka konfirmuar zëdhënësja për media e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi më 14.11.2024.“Të pandehurit N. H. i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muajsh, respektivisht nga data 10.11.2024  deri më 10.01.2025”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar KALLXO.com, Bytyqi po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare pasi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar për të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL.

Sipas Prokurorisë, në bazë të raportit të Grupit Ministror vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari pa verifikuar faktet ka nxjerrë vendim me të cilin ua ka zvogëluar borxhet operatorëve ekonomikë.

Këto veprime, sipas Prokurorisë, janë marrë me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Bytyqi dyshohet se me vendimin u është ulur borxhi kompanive që merren me ambalazhimin e ujit dhe pijeve.

Sipas Prokurorisë, Izedin Bytyqi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka tejkaluar kompetencat e tij dhe gjatë vitit 2022-2023 u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm prej 10% të pagës bazë për punët e kryera brenda orarit të punës zyrtareve B.B. dhe M.K., të cilat nën presionin e të dyshuarit tjetër, Naser Hafizi, kishin përgatitur dosjet e operatorëve ekonomikë dhe kanë hartuar vendimet e kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve dhe vazhdimin e lejeve ujore, që sipas Prokurorisë nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në muajin nëntor të vitit 2021, Izedin Bytyqi kishte marrë vendim të kundërligjshëm duke emëruar komisionin për zhvillimin e procedurës administrative për akte ujore me anëtarë jashtë njësisë përgjegjëse, respektivisht kishte anashkaluar zyrtaren përgjegjëse M.M. si kompetente për vazhdimin e lejeve ujore, pasi që e njëjta kishte kundërshtuar që të bëjë vazhdimin e lejeve ujore pa i plotësuar kushtet ligjore.