Sekretari i ministrisë së MPHI në gjykatë | Foto: Kallxo.com | 09.10.2024

Sekretari i MMPHI-së Izedin Bytyqi lirohet nga arrestit shtëpiak

Gjykata e Prishtinës e ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Izedin Bytyqi, sekretar në MMPHI, i cili dyshohet për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I. B., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit I. B.”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

“Të pandehurit I. B. i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ashtu që i njëjti mbrohet në liri”- thuhet tutje në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi ka konfirmuar për KALLXO.COM se Prokuroria Speciale më datë 02.12.2024 kishte paraqitur kërkesë në Gjykatën e Prishtinës për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më datë 02.12.2024 ka paraqitur në Gjykatën Themelore Prishtinë – Departamenti Special kërkesë për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin I. B., duke theksuar se kjo prokurori ka ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të zbardhjes se kësaj çështjeje penalo – juridike, andaj nga gjyqtari i procedurës paraprake është kërkuar që të ndërprehet masa e arrestit shtëpiak për të pandehurin I. B., pasi PSRK konsideron se kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar kjo masë, është kërkuar që të njëjtit t`i hiqet masa e arrestit shtëpiak dhe hetimi ndaj të pandehurit I. B. të zhvillohet në procedurë të rregullt”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake erdhi në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës është e bazuar, për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit I. B. dhe procedura penale ndaj tij do të zhvillohet në procedurë të rregullt duke u mbrojtur në liri” – thuhet tutje në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

Gjykata e Prishtinës më 09.10.2024 e kishte caktuar për herën e parë masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit Izedin Bytyqi.

14.11.2024 Gjykata e Prishtinës kishte konfirmuar se të dyshuarit në fjalë i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për 1 muaj.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar KALLXO.com, Bytyqi po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare pasi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar për të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL.

Sipas Prokurorisë, në bazë të raportit të Grupit Ministror vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari pa verifikuar faktet ka nxjerrë vendim me të cilin ua ka zvogëluar borxhet operatorëve ekonomikë.

Këto veprime, sipas Prokurorisë, janë marrë me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Bytyqi dyshohet se me vendimin u është ulur borxhi kompanive që merren me ambalazhimin e ujit dhe pijeve.

Sipas Prokurorisë, Izedin Bytyqi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka tejkaluar kompetencat e tij dhe gjatë vitit 2022-2023 u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm prej 10% të pagës bazë për punët e kryera brenda orarit të punës zyrtareve B. B. dhe M. K., të cilat nën presionin e të dyshuarit tjetër, Naser Hafizi, kishin përgatitur dosjet e operatorëve ekonomikë dhe kanë hartuar vendimet e kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve dhe vazhdimin e lejeve ujore, që sipas Prokurorisë nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në muajin nëntor të vitit 2021, Izedin Bytyqi kishte marrë vendim të kundërligjshëm duke emëruar komisionin për zhvillimin e procedurës administrative për akte ujore me anëtarë jashtë njësisë përgjegjëse, respektivisht kishte anashkaluar zyrtaren përgjegjëse M.M. si kompetente për vazhdimin e lejeve ujore, pasi që e njëjta kishte kundërshtuar që të bëjë vazhdimin e lejeve ujore pa i plotësuar kushtet ligjore.