Seanca ndaj Kadri Shalës i dyshuar për 2.1 milionëshin e Thesarit mbahet me dyer të mbyllura

Kadri Shala, i dorëzuar dje në polici si i dyshuar për 2.1 milionëshin e “avulluar” nga Thesari i Shtetit, ka dalë sot para gjykatësit të procedurës paraprake në gjykatën e Prishtinës.

Ai dyshohet për veprën penale të shpëlarjes së parave.

Kadri Shala do të përballet me kërkesën e Prokuorisë Speciale  lidhur me  caktimin e paraburgimit për të cilën do të vendosë gjykatësi special Musa Kongjeli.

Seanca do të mbahet me dyer të mbyllura për publikun dhe mediat.

Kadri Shala  me urdhrin e Prokurorisë Speciale është dërguar në ndalim pasi ishte vetdorëzuar në Polici më 26 tetor.

Në lidhje me rastin e skandalit të 2 milionëshit të Kosovës, zyrtarit të Thesarit Labinot Grudës  më 22 tetor i është caktuar paraburgimi  në kohëzgjatje prej një muaji për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Sipas dosjes së Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit Labinot Gruda, të siguruar nga KALLXO.com, ai dyshohet se ka kryer 4 transaksione në vlerë totale prej 2,077,995.90 euro, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” SH.P.K. me numër të biznesit 811342617, të regjistruar me dt.21.08.2019 me seli në Llapushnik.

“Për të pandehurin Labinot Gruda, ekziston dyshimi i bazuar se me dt.09.10.2020, në intervalin kohor prej orës 12:11 deri në orën 12:19, nga zyra e tij në Ministrin e Financave-Thesari i Kosovës, duke krijuar userë të ndryshëm që duken si usera të punëtorëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme ka realizuar katër transaksione në vlerë të përgjithshme prej 2,077,995.90 euro, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” SH.P.K. me numër të biznesit 811342617, të regjistruar me dt.21.08.2019 me seli në Llapushnik, komuna e Gllogocit, rruga “Osman Krasniqi” nr.14 me pronar Kadri Shala dhe Valon Shala”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i dyshuari Gruda me veprimet e tij dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro.