Seanca e radhës ndaj Gucatit e Haradinajt pritet të mbahet sot

 

Seanca e radhës ndaj dy ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, të cilët po akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë pritet të mbahet sot.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, kjo seancë do të fillojë nga ora 11:00.

Dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gucati e Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë, e më pas ishin transferuar në Hagë.

Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së Dhomave të Specializuara, duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitarët.

Pak muaj pas arrestimit, prokurorët e specializuar, kishin ngritur aktakuzë ndaj tyre, e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.

Hysni Gucati në seancën e parë të paraqitjes së tij, ishte deklaruar i pafajshëm ndërsa Nasim Haradinaj nuk kishte dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tij.

Sipas aktakuzës, në prill dhe shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj bënë deklarata akuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për persona tjerë.

Prokuroria pretendon se këta persona ishin quajtur gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë, nga dy krerët e OVL të UÇK-së.

Përpos kësaj pike, të dy akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike të cilat ndërlidhen me hetimet e

Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe Prokurorisë së Specializuar.

Përveç shpërndarjes, ata akuzohen se inkurajuan të tjerët të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati e Haradinaj organizuan së bashku me disa persona tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik, përmes thirrjes së konferencave për media.

Në këto konferenca, siç thuhet në aktakuzë, mbi tavolina u ekspozuan dokumentet e Dhomave të Specializuara.

Prokuroria i ngarkon ata për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

 

 

Gucati e Haradinaj të premten seancë gjyqësore, Mustafa më 9 qershor