Seanca dëgjimore ndaj policit të arrestuar në veri po mbahet me dyer të mbyllura

Rade Basara, polici i arrestuar në veri të Mitrovicës nën dyshimet për manipulim me prova në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, është sjellë sot para Gjykatës në Prishtinë.

Seanca për caktimin e masë së sigurisë ndaj tij është duke u mbajtur me dyer të mbyllura.

Prokuroria e Shtetit ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor të arrestuar, Rade Basara.

Vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, bëri që policia me njësitë elite të saj t`ia mësyjnë edhe gjatë ditës së djeshme veriut të Kosovës.

Dy zyrtarë policor ishin cak i policisë mëngjesin e djeshëm, ku sipas prokurorit special Sylë Hoxha, të njëjtit po dyshohen për fshehjen e provave dhe krim të organizuar.

Rade Basara tashmë është duke u përballur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, ndërsa zyrtari tjetër policor Zhelko Bojiq nuk është gjetur gjatë aksionit të djeshëm dhe është në kërkim nga organet e rendit.

KALLXO.com kishte raportuar se i dyshuari tjetër, Bojiq edhe më herët ishte i njohur për Policinë dhe Prokurorinë

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë gjenden dy lëndë ku Bojiq është i dyshuar për kryerje të veprave të ndryshme penale.

Në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj Prokurorie madje gjendet një rast që prej vitit 2012, kur EULEX-i kishe ngritur propozim akuzues, nën dyshimin se Bojiq kishte kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Gjithashtu ai dyshohet edhe për dy vepra penale (në bashkëkryerje), “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Vrasja e Ivanoviqit, edhe një rast në proceset e gjata nën hetime

.