(VIDEO) Lushtaku: Familjen e njoftova se i gjallë nuk shkoj në Burgun e Mitrovicës

Në procesin gjyqësor të njohur si “Arratisja nga QKUK”-ja ku të akuzuar janë Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Sahit Jashari dhe të tjerët të cilët akuzohen për veprën penale arratisja e personit të privuar nga liria, dha mbrojtjen i akuzuari Sami Lushtaku.

Lushtaku, fillimisht tregoi se në maj të vitit 2014-të ishte i vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë.

“Jo”, ishte përgjigjja e Lushtakut kur u pyet sa a ka qenë i dënuar ndonjëherë në Qendrën e Paraburgimit për shkak të sjelljeve të tij.

Ai kur u pyet nga avokati i tij Artan Qerkini se a ishte i rrekizuar nga të paraburgosurit e tjerë në Dubravë, Lushtaku deklaroi shkurt “Asnjëherë”

Sami Lushtaku tregoi se në vitin 1990 ishte i dënuar me 20 vjet burgim nga regjimi i Milliosheviçit.

Kur u pyet se a do të ishte i rrezikuar nëse do të transferohej në burgun e  Mitrovicës, i akzuauri Sami Lushtaku deklaroi se: “Avokat po besoj as dje as sot, kurrë nuk kisha pranu që të shkoj në burgun e Mitrovicës, jo pse e kam frikë vdekjen sepse asnjëherë deri më tani nuk jam frigu, por frikën e kam pas që policia, gardianët kanë mundur të luajnë me dinjitetin tim”.

 

“Frika ka qenë që pas dënimit që e kam pas më herët, dikush mund të më transferojë në burgjet e Serbisë”, tha i akuzuari Sami Lushatku.

Ndërsa në lidhje me pyetjen se sa gardianë e kishin ruajtur në QKUK, Lushtaku tha se: “Ka pasur gardianë, por nuk e di sa ka qenë mumri i tyre”.

Lushtaku nuk ia dinte as emrin gardianit i cili e kishte ruajtur në QKUK.

E kur u pyet se kur ishte informuar se do të transferohej në burgun e  Mitrovicës, i akuzuari Lushtaku tha se: “Jam informuar nga avokati im, por unë asnjëherë nuk jam arratisur nga Spitali, nuk kam dasht me shku në Mitrovicën e veriut”.

Në lidhje me pretendimin e Prokurorisë për arratisjen nga QKUK-ja tha se: “Asnjëherë nuk e kam lëshu spitalin, asnjëherë”.

Ai para gjykatës tha se kishte qëndruar në Repartin e Kardiologjisë, një dhomë larg dhomës që i kishin caktuar.

“Unë, kam qëndru në repartin e zemrës një dhomë larg dhomës time”, tha i akuzuari Lushtaku.

Poashtu i akuzuari Lushtaku deklaroi se gjatë kontaktit me familjen e tij u kishte thënë atyre se i gjallë nuk shkon në Mitrovicë.

“Avokati im e ka njoftu familjen dhe i kam thënë se: “I gjallë nuk shkoj në Mitrovicë”, deklaroi i akuzuari Sami Lushatku.

Aktakuza në pikën e 9-të thotë se me datën 20 maj 2014, dhe orëve të mbrëmjes së datës 22 maj në objektet e QKUK-së duke vepruar në bashkëkryerje sipas një plani të pajtuar derisa kanë qenë në paraburgim janë arratisur nga dhomat e spitalit dhe janë fshehur në lokacione të panjohura duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qenë në mbjatje në bazë të vendimit të ligjshëm që urdhëron privimin e tyre nga liria.

Për këtë vepër penale parashihet dënimi deri në 3 vjet burgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë proces gjyqësor ndaj Sami Lushtakut dhe të akuzuarve të tjerë – LINK