Sami Lushtaku - Foto: KALLXO.com

Denoncimi i Sami Lushtaku për Veteranët, brigada"Hasan Prishtina" nuk ishte në Drenicë

Në seancën e së martës të gjykimit të të akuzuarve për rastin e njohur si “Veteranët” ka dëshmuar ish-kreu i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Në këtë seancë, Lushtaku erdhi vullnetarisht pavarësisht se një ditë më herët Gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij me detyrim.

Gjatë dëshmisë së tij, Sami Lushtaku ka folur për kohën e luftës në Kosovë, të viteve 1998/1999.

Ai tregoi se fillimisht kishte qenë i angazhuar si zëvendëskomandant e pastaj komandant i Zonës Operative të Drenicës.

Lushtaku  shtoi se në kuadër të Zonës Operative të Drenicës nuk ka ekzistuar brigada “Hasan Prishtina”. Ai shtoi se në kuadër të kësaj Zone kanë qenë 3 brigada dhe Njësia Speciale.

“111 ka qenë njësia speciale ‘Adem Jashari’,  dhe brigadat me numrat 112 , 113 dhe 114”, tha ai.

Më tutje në dëshminë e tij Lushtaku deklaroi se në Komisionin qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit luftëtar dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e UÇK-së, anëtar i të cilit ishte, nuk kishte marrë pjesë deri në përfundim të të njëjtit dhe se pastaj ishte zëvendësuar nga Nuredin Lushtaku.

Gjatë deklarimit të tij, Sami Lushtaku tregoi edhe për mospajtimet që kishin pasur në mbledhjet e Komisionit shtetëror për verifikim, lidhur me personat të cilët duhej të ishin pjesë e listave të veteranëve, takime këto të cilat kishin rezultuar me mendime te ndryshme e posaçërisht mospajtimet për Zonën Operative të Drenicës, për mosnjohjen e statusit të veteranit për rojet.

Sa i përket mospajtimeve të tilla, Lushtaku tha se “secili nga ne ka shprehur mendimin e vet”.

Ndërkaq për respektimin e bazës ligjore të verifikimit dhe njohjes se statusit të veteranit dhe kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, tha se ajo nuk ishte respektuar.

“Unë nuk jam ekspert ligjor. Unë besoj dhe shpresoj se nuk është respektuar baza ligjore”, ka thënë Lushtaku.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Nushe Kuka Mekaj, ka tërhequr vendimin e saj pasditen e së martës, lidhur me ndalimin e publikimit të deklaratave të dëshmitarëve, fotografimin apo incizimin e tyre, pasi që sipas së njëjtës ka përfunduar marrja e tyre në pyetje, duke lejuar publikimin e tyre në media.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Rrustem Berisha dhe Shukri Buja.

Bashkë me ta akuzohen edhe anëtarët e Komisionit për verifikimin e njohjes së statusit të veteranit.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88.769.217.04 euro.

Të dymbëdhjetë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në të gjitha fazat e procedurës.