Salih Kqiku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës në zyrën e prokurimit në Gjilan para gjyqit të apelit

Salih Kqiku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në cilësinë e drejtorit të prokurimit në Gjilan ka dalë sot para gjykatës së Apelit.

Në këtë seancë janë shqyrtuar ankesat e paraqitura nga prokuroria, vetë Kqiku.

Ankesat u paraqitën pasi Gjykata e Gjilanit Kqikun e ka liruar nga akuza për njërën pikë të aktakuzës, ndërsa për pikën tjetër e ka dënuar me burgim prej 1 vit e 6 muajsh si dhe me ndalim të ushtrimit të profesionit.

Sipas gjyqtares referuese Tonka Berisha, Prokuroria e Gjilanit ka paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi dhe ka propozuar që aktgjykimi në pjesën liruese të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim, ndërsa për pjesën dënuese të ndryshohet ashtu që të akuzuarit t`i shqiptohet dënimi me burgim më të lartë.

Kqiku në ankesë ka propozuar që të ndryshohet vendimi në pjesën dënuese dhe ka kërkuar që edhe për këtë pjesë të lirohet.

Po ashtu në seancë Kqiku shtoi se mendon që është dënuar pa faj, është dashtë patjetër të respektoj rregullat e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik si dhe se qëndron pranë ankesës së paraqitur me shkrim.

Tutje mbrojtësi i Kqikut, avokati Elmi Qerimi i ka propozuar gjykatës që të liroj nga akuza edhe në pjesën e aktakuzës për të cilën është dënuar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, Salih Kqiku dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit në dy raste duke u sjellë përfitime të kundërligjshme pasurore operatorëve ekonomik, kompanive nga Ferizaj.

Në aktakuzën e ngritur thuhet se i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar, drejtor në Zyrën e Prokurimit në Gjilan, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi nga data 22.10.2014 deri më datën 21.03.2017, ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, lidhur me kontratën kornizë “Mirëmbajtja e ndriçimit publik në fshatrat e komunës së Gjilanit”, e lidhur në mes të komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Elektring” nga Ferizaj, me afat tre vjeçar.

Sipas Prokurorisë kontrata e njëjtë ka zgjatur deri më 14 tetor 2016, përkundër që është dashur që ta përmbyll të njëjtën, gjatë kohës sa ka qenë menaxher, ka vazhduar me pagesa, nënshkrimin e urdhër blerjeve duke tejkaluar vlerën e kontratës në shumë prej 79,999.70 euro, duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorit ekonomik “Elektring” nga Ferizaj, ka sjellë rrezikun e rritjes së obligimeve jashtë kontraktuale, në këtë mënyrë ka dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit.

Gjithashtu Salih Kqiku akuzohet edhe për kontratën ”Hartimi i projekteve kryesore në Komunën e Gjilanit Lot II” e lidhur mes komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Engrup – Edona” e cila kontratë ka qenë tre vjeçare derisa ka tejkaluar vlerën në shumë prej 278,438.21 euro duke dëmtuar operatorët e tjerë në Gjilan.