Pjetër Ndrecaj në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Rritja e dënimit ndaj Pjetër Ndrecajt, ky është arsyetimi i Apelit

Pjetër Ndrecaj, në muajin nëntor të vitit 2020 ishte dënuar me 24 vite e 6 muaj burgim.

Pas këtij vendimi, Prokuroria e Gjakovës dhe përfaqësuesit e palës së dëmtuar dhe të akuzuarit kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Apeli, kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Gjakovës, duke i shqiptuar dënimin për vrasje të rëndë me burgim prej 30 vitesh.

Ndrecaj, gjendet në paraburgim që nga data 7 gusht 2018, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij Valbonës dhe vajzës së tij, Klarës 9 vjeçare.

Gjykata e Apelit, thotë se deri te dënimi i ndryshuar ka ardhur pas ankesave të Prokurorisë dhe palës së dëmtuar se dënim i shqiptuar nga Gjykata e Gjakovës ishte i butë dhe jo propocional me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar realisht rrethanat lehtësuese dhe rënduese, pasi që nuk i ka marrë parasysh faktin se i akuzuari edhe më parë është sjellur në mënyrë të dhunshme ndaj ish gruas së tij, tashmë të ndjerës, Valbona Ndrecaj, se veprën penale e ka kryer në shtëpinë e saj, në prezencën e nënës, vëllezërve dhe fëmijëve të saj, duke qenë se viktimat nuk i kanë kontribuar aspak kryerjes së veprës penale dhe se duke marrë parasysh këto rrethana gjykata e shkallës së parë i ka shqiptuar një dënim shumë të butë.

Gjykata e Apelit, dënimin prej 30 vitesh burgim e ka vlerësuar si dënim të drejtë, të ligjshëm dhe në harmoni me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe me shkallës e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, e me të cilin dënim do të arrihet qëllimi i dënimit të paraparë.

Në këtë rast, Gjykata e Apelit, ka zbatuar dispozitën e nenit 42 të KPRK-së, sipas të cilave parashihet që për veprat penale për të cilat është paraparë dënim jo më pak se 10 vjet, apo dënim me burgim të  përjetshëm, gjykata mund të shqiptoj dënim me burgim deri në 35 vjet.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj sipas Prokurorisë ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.

Të gjitha lajmet lidhur me këtë proces penal i gjeni në këtë link.