Rritet numri i të arrestuarve në rastin e Karaçevës

B.A dhe SH.I janë arrestuar si të dyshuar lidhur me rastin Karaçeva, duke e dërguar numrin në 63 të të arrestuarve për këtë rast.

Prokuroria në Gjilan ka njoftuar se B.A. dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Blerja, pranimi ose fshehja  e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, për shkak të dyshimit të bazuar se me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka blerë gjedhe, për të cilat ka pasur dijeni se janë të kontrabanduara.

Ndërsa SH.I. dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ pasi në fshatin Karaçevë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka organizuar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Të dyshuarit B.A., dhe SH.I., me urdhër të prokurores së rastit gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh.

Më 2 tetor, Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë, për 24 të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të 1 tetorit të zhvilluar nga organet e ndjekjes.

Në komunikatën Gjykatës në Gjilan thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R. S., L. M., F. A., A. A., N. M., H. Rr., P. Sh., A. D., F. B., R. K., I. Th., R. A., A. Th dhe F. K., që nga muaji nëntor 2019, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë komuna e Kamenicës, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë ndërmarrë veprime për të kontrabanduar gjedhe, të cilat i kanë bartur përmes rrugëve ilegale jashtë vijës kufitare, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’kontrabandimi me mallra’’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të pandehurit J. H., N. Sh., Sh. K., K. M., U. A., B. R., A. H., H. M. dhe J. B., që nga muaji dhjetor 2019, si persona përgjegjës të bizneseve për përpunimin e mishit, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, kanë blerë gjedhe, për të cilat kanë pasur dijeni se janë të kontrabanduara dhe me qëllim të shitjes kanë prodhuar dhe vënë në qarkullim produkte të mishit, pa u bërë kontrollet e nevojshme sipas standardeve.

Të pandehurit e lartcekur, dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, dhe ‘’prodhimi dhe vënia në qarkullimin e artikujve të dëmshëm ushqimor’’, të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri I.K., që nga muaji shtator 2019 deri më 18 shtator 2020, në lokalin “Automate Club”, në fshatin Karaçevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të kundërligjshme dhe në vazhdimësi ka organizuar lojërat të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë aksion policor në rrjetin e kazinove në Karaçevë të cilat mund t’i lexoni në këtë link.