Rriten fajdetë në rajonin e Prizrenit, për 24 mijë euro ia kërkon 64 mijë

Gjykata e Prizrenit ka vendosur rreth kërkesës së Prokurorisë për paraburgim ndaj personit R.B. nga Sllapuzhani i Suharekës, i arrestuar nën dyshimin për fajde dhe detyrim.

Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit dhe Gjykata e ka miratuar këtë masë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 18.07.2019 dhe do të zgjasë deri me 18.08.2019.

Sipas Prokurorisë, R.B. dyshohet se në vazhdimësi me anë të detyrimit lidhur me fajdetë ka detyruar personin tjetër që të veprojë në dëm të pasurisë së vet duke ia kërkuar shumën prej 64.000 euro, me çka në fillim i dëmtuari i ka huazuar shumën prej 24.000 euro e cila shumë ka arritur deri në 64.000 euro.

Gjykata vlerëson se këto vepra penale janë në rritje e sipër në territorin e fushëveprimit të kësaj Gjykate.