Foto: Kallxo.com

Rreth 4 vjet burg për arsenalin e armëve të gjetura

Gjykata e Prishtinës sot shpalli vendimin ndaj Bajrush Ademit, Ferat Ukajt, Skender Nuredinit dhe Sami Kelmendit të cilët i gjeti fajtor për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Pas ballafaqimit me aktakuzën të akuzuarit më 16 janar, që të gjithë të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë.

Hapat që duhet ndjekur për legalizimin e armëve pa leje

I akuzuari Bajrush Ademi u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje pre 2 vjet e 4 muaj, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, dhe si dënim plotësues iu konfiskuan të gjitha armët e sekuestruara të cilat do të asgjësohen pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

Ferat Ukaj u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje pre 1 viti e 6 muaj, të cilit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënim plotësues konfiskimi i armëve të gjetura.

Të akuzuarit Skender Nuredini gjykata i shqiptoi gjobë prej 3 mijë euro ndërsa Sami Kelmendit gjobë prej 2,500 euro.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit Bajrush Ademi nga data e pacaktuar e deri më 24 korrik 2019 në shtëpinë e tij në Kllokot i janë gjetur 3 revole të llojeve “Cobra”, “TT”, “Parabellum”, 9 pushkë, 2 armë automatike të llojit “AK-47”, 29 karikatorë të armëve të ndryshme dhe 750 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Të akuzuarit Ferat Ukaj, më 24 korrik 2019, në shtëpinë e tij në Kalican i janë gjetur 1 revole, 2 pushke gjuetie, 1 snajper, 1 armë artizanale, 1 pistoletë me dylbi dhe 1,500 copë municion të kalibrave të ndryshëm dhe 7 thika të ndryshme.

Gjithnjë sipas akuzës, Skender Nuredinit në shtëpinë e tij në Gjilan, më 24 korrik 2019, i janë gjetur 2 armë të gjata të  llojit “M48”, 1 pistoletë, 4 karikatorë dhe 13 fishkë.

Ndërsa të akuzuarit Sami Kelmendi në po të njëjtën datë në shtëpinë e tij në Pejë i janë gjetur 1 revole e llojit “HS”, 2 karikatorë, 153 fishekë, 1 bajonetë, 1 armë automatike e llojit “AK-47”, 3 boksa të hekurit.

Si rrethana lehtësuese për të akuzuarit Skender Nuredini dhe Sami Kelmendi gjykata mori pranimin e fajësisë dhe kryerjen e veprës penale për herë të parë ndërsa për të akuzuarit Bajrush Ademi dhe Ferat Ukaj si rrethana rënduese gjykata mori sasinë e armëve dhe faktin se edhe më parë ishin të dënuar për të njëjtën vepër penale.