Arma e konfiskuar nga policia, Foto: Policia e Kosovës

Rreth 250 mijë armë pa leje në duar të kosovarëve

Qytetarët të cilët posedojnë armë pa leje cenojnë rendin dhe sigurinë publike, por mbi të gjitha rrezikojnë jetën e tyre.

Rreth 250 mijë armë pa leje janë në duar të qytetarëve të Kosovës, ndërkaq numri i armëve me leje ka arritur në 36 mijë e 15 sosh. 

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të kaluarën janë identifikuar 360 mijë armë ilegale, por me miratimin e Ligjit për Armët është shënuar ulje e dukshme e tyre.

Kjo ka ndodhur edhe për shkak të fushatave të vazhdueshme për legalizim. 

“Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Faktorët që kanë ndikuar në zvogëlimin e këtij numri janë miratimi i ligjit për armët, i cili ka mundësuar që qytetarët të pajisen me armë në mënyre legale. Një kontribut të rëndësishëm ne zvogëlimi e armëve ilegale jep edhe shkatërrimi i armëve, i cili bëhet çdo vit”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për KALLXO.com.

Përkundër këtij fakti, qytetarët e Kosovës kanë shprehur interesim të ulët për t’u pajisur me leje për armë.

Sipas MPB-së, gjatë periudhës së legalizimit të armëve, janë paraqitur vetëm 2 mijë kërkesa, kurse janë lëshuar 1 mijë e 800 pëlqime.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës vazhdimisht ka konfiskuar armë pa leje. Sipas të dhënave, çdo vit konfiskohen rreth 1 mijë e 500 armë ilegale.  

Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka paraparë gjoba deri në 7 mijë e 500 euro  dhe dënim me burgim deri në 10 vjet për armëmbajtje pa leje.

Për t’u pajisur me një armë në Kosovë ligji po ashtu ka paraparë përmbushjen e disa kushteve.

Disa nga kushtet që përmenden në ligj janë mosha 21-vjeçare, aftësia ligjore për veprim, aftësi psiko-fizike, të mos rrezikojë vetën, sigurinë publike si dhe të deklarojë arsyen e blerjes së armës.

Por e njëjta me vendim gjyqësor mund të konfiskohet nëse personi ka humbur aftësinë e veprimit, aftësinë psiko-fizike, është dënuar për vepër penale apo nëse ka shkelur kriteret e përcaktuara. 

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.