Rrënimi i aneksit pa leje të 'Abi Çarshia' - Mungon njëra e akuzuar, dështon seanca

 

 

Në mungesë të të akuzuarës Jetmire Vrenezi ka dështuar të mbahet seanca e radhës në rastin e rrënimit të aneks-objektit “Abi Çarshia” i cili ishte ndërtuar pa leje.

Të akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar janë Islam Thaçi, Jetmire Vrenezi, Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi, të cilët po akuzohen nga Prokuroria se në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Prizrenit kishin urdhëruar dhe zbatuar rrënimin e një aneks-objekti të “Abi Çarshisë” i cili ishte ndërtuar pa leje.

Arsyeja e dështimit të seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarës Jetmira Vrenezi.

Përfaqësuesja e palës së akuzuar, avokate Flaka Gutaj njoftoi gjykatën se e akuzuara Vrenezi nuk mund të ishte prezent në seancën e sotme për shkaqe shëndetësore, për çka e njëjta ka dorëzuar në gjykatë raportin mjekësor.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues Kymete Kicaj, konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të mbahet seanca.

Gjykimi i radhës u caktua për datën 16 shtator 2021.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019 ku Drejtoria e Inspektoratit në Prizren, kishte rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit kanë realizuar rrënimin në qendrën tregtare “Abi Çarshia” ndonëse e kanë ditur se i dëmtuari kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina Thaqi inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Në këtë mënyrë sipas Prokurorisë të akuzuarit i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit të “Abi” SHPK në Prizren.

Në lidhje me këtë rast Kallxo.com ka publikuar historinë e ndërtimit, rrënimit e deri tek aktakuza ndaj ish-Kryeinspektorit dhe zyrtarëve të Komunës së Prizrenit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e rrënimit të aneksit pa leje të ‘Abi Çarshia’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK