Rrëmbimi i shtetasve maqedon në Gjilan, Gjykata e mbyllë seancën për çështje morali

Dy zyrtarë policor, V. K., dhe B. N., një punëtor i RTK-së, F. S.,  dhe dy persona të tjerë, V. K., dhe M. I., janë sjellë para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me kërkesën e Prokurorisë, e cila po kërkon caktimin e paraburgimit ndaj tyre.

Tutje në seancë, avokati Gazmend Halili propozoi që seanca të jetë e mbyllur për shkak se në këtë çështje Prokuroria konsideron se ka prova me të cilat mund të cenohet morali dhe dinjiteti i të pandehurve e po ashtu edhe i të dëmtuarve.

“Me qëllim që të njëjtit mos të dëmtohen në këtë çështje edhe më shumë dhe bazuar në Kushtetutën e Kosovës dinjiteti nuk cenohet as në raste të jashtëzakonshme, e në rastin konkret kemi të bëjmë me një seancë dëgjimore, ku lejimi i publikut nuk i shërben asnjë gjëje. Kurse për të pandehurit dhe të dëmtuarit shkakton dëme të mëdha dhe të pa riparueshme”, tha avokati Halilaj të cilin e mbështetën edhe avokatët e tjerë prezent.

Propozimin e avokatit  e aprovoi gjykatësi Agim Ademi, duke e mbyllur seancën për publikun. Vendimin për mbyllje të seancës nuk e kundërshtoi as prokurori Agron Uka.

Dosja e Prokurorisë në Gjilan, përshkruan në detaje ngjarjen në të cilën u përfshinë edhe zyrtarët policor.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit e cila tregon se të rrëmbyerit madje edhe ishin kërcënuar me armë nga zyrtarët policor, se nëse lëviznin, të njëjtit do të qëlloheshin me plumba.

Sipas Prokurorisë, nga data 16.02.2021 nga ora 22:00 gjerë më datë 17.02.2021 në ora 14:00, të dëmtuarit nën presion-kërcenim të armëve nga të pandehurit i kanë zhveshur të dëmtuarit, pastaj i kanë prangosur me pranga të plastikës duke ua dërguar videot familjareve të të dëmtuarve. Tutje sipas Prokurorisë njërit prej të dëmtuarve ia kanë marrë 100 euro, 100 franga dhe 4,000 dinar të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, njërit nga të rrëmbyerit nën kërcënim të armës i janë marrë 40 euro, derisa i njëjti ka qenë i prangosur.

Suspendohet punëtori i RTK-së, dyshohet se u përfshi në skandalin e rrëmbimit në Gjilan