Rrëmbimi i shtetasit turk, urdhërohet ekzaminimi i telefonit të të akuzuarit Blerim Berisha

Në gjykatën e Prizrenit sot u mbajt seanca e radhës ndaj të akuzuarit Blerim Berisha lidhur me rrëmbimin dhe torturimin e shtetasit turk Recep Adsan.

Adsan, nuk ishte i pranishëm në gjykim por ndaj tij gjykata kishte caktuar një mbrojtës sipas detyrës zyrtare, avokat Sylë Hoxhën.

Tutje gjykimi vazhdoi me propozimin e  përfaqësuesit të prokurorisë Mehdi Sefa, i cili kërkoi që ndaj të akuzuarit Blerim Berisha gjykata të bëjë një ekspertizë  përmes zyrtarëve të IT apo inxhinierit të Softwer Telekomit apo Ipkos që të analizohen hyrjet daljet e listingut ndaj të akuzuarit Blerim Berisha.

Pas këtij propozimi kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, mori vendim që të lëshohet urdhëresa për hartografinë, analizën telefonike dhe hyrje dalje të CD-së ndaj të akuzuarit të lartcekur.

Meqenëse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Sylë Hoxha nuk ishte i pajisur me shkresat e lëndës dhe duke pasur parasysh propozimin e prokurorit të shtetit kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, mori vendim që seanca e sotme të ndërprehet.

Seanca e radhës u caktua për datën 10 dhjetor 2021.

Një biznesmen nga Turqia, Recep Adsan ishte rrëmbyer në Prizren më 17 shtator 2019.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Blerim Berishës, Abdulla Morinës, Yusuf Morinës, Lëndim Morinës dhe Dibran Gashit.

Të lartcekurit sipas prokurorisë akuzohen se kanë rrëmbyer të dëmtuarin Recep Adasan ku nga i vëllai i të tij kanë kërkuar shumën prej 50 mijë euro duke e kërcënuar se nëse nuk do të dorëzojnë të hollat e kërkuara në këmbim të lirimit do t’ia vrasin vëllain.

Prokuroria po pretendon se të akuzuarit e lartcekur  ishin marrë vesh paraprakisht për rrëmbimin e shtetasit turk.

Detaje nga dosja e Prokurorisë rreth rrëmbimit dhe torturimit në Prizren të biznesmenit nga Turqia

Në aktakuzë thuhet se rrëmbimi është kryer në parkun e qytetit të Prizrenit.

Të akuzuarit Abdula Morina, Yusuf Morina dhe Lëndim Morina më 23 tetor 2020 kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Kështu, Abdula Morina dhe Yusuf Morina, ishin dënuar me 20 muaj burgim, ndërsa i akuzuari Lëndim Berisha ishte dënuar me 12 muaj burgim në të cilën po ashtu të pandehurve iu është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Kurse, sa i përket të akuzuarit Dibran Gashi, i cili po ashtu pretendohet se kishte marrë pjesë në rrëmbim e shtetasit turk, KALLXO.com merr vesh se gjendet në arrati.