Rrëmbimi i dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut, të akuzuarit deklarohen për fajësinë

 

Të akuzuar për rrëmbim zyrtarët policor Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, si dhe  Margona Islami, Valon Kiqina, Flamur Sopi dhe Merita Zymberi, kanë dalur para gjykatësit në Gjilan, pasi nga Prokuroria po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Rrëmbimi.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Agron Uka, gjithë të akuzuarit u deklaruan të pa fajshëm në akuzën e Prokurorisë së Gjilanit e cila ata i ngarkon me veprën penale të Rrëmbimit.

Tutje në seancë, të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve, kërkuan nga Gjykata që të akuzuarve të ju ndërpres masën e paraburgimit, pasi siç thanë ata, tani kanë pushuar arsyet për vazhdimin kësaj mase.

Kurse gjykatësi Ramiz Azizi tha se dje ka vendosur lidhur me vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj.

“Tani pasi të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë, atyre do tu mundësohet që të kundërshtojnë aktin akuzues. Jemi në fazën ankimore dhe lidhur me vendimin tim për vazhdimin e paraburgimit do të vendos Gjykata e Apelit”, tha gjykatësi Azizi.

Kujtojmë se më datë 09 korrik Prokuroria e Gjilanit kishte njoftuar se ndaj 5 të pandehurve, ndër ta edhe dy zyrtarë policor kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të rrëmbimit, ndërsa vetëm 5 ditë më vonë Gjykata, e ka nisur Gjykimin ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 Shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një villë në komunën e Novobërdës, të pandehurit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtë të dëmtuarit Z. R. dhe A. A., në atë mënyrë që të pandehurat M. I. dhe M. Z., fillimisht merren vesh që të dëmtuarit ti joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një villë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit V. K. (1978), B. N. dhe V. K.(1989), ndërsa i pandehuri F. S., ka qëndruar jashtë villës duke bërë roje.

Tutje sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda villës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video inçizime, të cilat ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve. Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe armë.

 

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast

Rrëmbimi i dy shtetasve të Maqedonisë V., ngritet aktakuzë ndaj 6 personave