Gjykata e Gjilanit

Rrëmbimi i dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut, sot pritet të nis gjykimi ndaj të akuzuarve

 

Të akuzuar për rrëmbim, V. K., M. I., B. N., V. K., F. S. dhe M. Z., sot pritet të dalin para gjykatësit në Gjilan, pasi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Rrëmbimi.

Se gjykimi i tani të akuzuarve do të nis sot, për kallxo.com e ka konfirmuar zyrtari për informim në Gjykatën e Gjilanit Sabit Shkodra.

“Seanca në këtë rast do të nis më 14 korrik dhe lënda do të gjykohet nga gjykatësi Ramiz Azizi, pra kryetari i Gjykatës. Seanca pritet të filloj nga ora 10:00”, ka thënë Shkodra.

Kujtojmë se më datë 09 korrik Prokuroria e Gjilanit kishte njoftuar se ndaj 5 të pandehurve, ndër ta edhe dy zyrtarë policor kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të rrëmbimit.

Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 Shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një villë në komunën e Novobërdës, të pandehurit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z. R. dhe A. A., në atë mënyrë që të pandehurat M. I. dhe M. Z., fillimisht merren vesh që të dëmtuarit ti joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një villë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit V. K. (1978), B. N. dhe V. K.(1989), ndërsa i pandehuri F. S., ka qëndruar jashtë villës duke bërë roje.

Tutje sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda villës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video inçizime, të cilat ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve. Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe armë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK