Rrëfimi i të akuzuarit: Vrasja në malet e Vitisë ndodhi pas mosmarrëveshjes për dru

Gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij, i akuzuari Bujar Emërllahu ka dhënë detaje rreth rastit të vrasjes së Ardit Qamilit, vrasje që ka ndodhur në malet e Buzovikut të Vitisë më 2017.

Në seancën e sotme të rigjykimit për vrasje, i akuzuari tregoi se në ditën kritike ishin duke ngarkuar dru në mal dhe u ishin afruar tashmë viktima Ardit Qamili, babai i tij, Ibrahim Qamili dhe vëllai i viktimës, Bujar Qamili.

I akuzuari tha se viktima dhe dy personat që e shoqëronin i janë drejtuar atij dhe vëllait të tij, duke u thënë se nuk është dashur të marrin dru në këtë mal.

“Pastaj na kanë sulmuar me dru. Duke  dashur t’i largojmë sulmuesit, e kam nxjerrë armën dhe kam shtënë, duke dashur që ta drejtoj armën nga qielli. Pas këtyre zhvillimeve jemi larguar bashkë me vëllain”, tha i akuzuari.

Pas deklarimit të mbrojtjes së të akuzuarit do të procedohet në seancat e radhës me fjalën përfundimtare të palëve.

Rasti po gjykohet në Gjykatën e Gjilanit nga trupi gjykues i përbërë nga kryetari Aziz Shaqiri dhe anëtarët Agim Ademi dhe Veli Kryeziu.

Gjykata e Gjilanit për këtë rast më 23.07.2018 ka nxjerrë aktgjykim dënues dhe i ka shqiptuar të akuzuarit dënim unik prej 14 vitesh burgim, për veprat penale për të cilat akuzohet.

Ndërsa Gjykata e Apelit të Kosovës këtë lëndë penale e ka kthyer për rigjykim, duke u bazuar në propozimin e mbrojtjes që ka supozuar që ka shkelje të procedurës penale.

Gjykata e Apelit e ka udhëzuar Gjykatën e Gjilanit, që në rigjykim të evitojë shkeljet për të vërtetuar gjendjen faktike dhe të zbatojë mirë ligjin penal.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor u proceduan provat materiale të cilat përfshijnë vërtetimin lidhur me sekuestrimin e armës, raporti i ekspertit përkitazi me armën, raporti i ekzaminimit të gjurmëve, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, raporti i obduksionit të të ndjerit dhe fotodokumentacioni.

Në vazhdim të procedurës mbrojtja e të akuzuarit e përfaqësuar nga avokati Shemsedin Pira, propozuan që të bëhet një ekzaminim psikiatrik për të kontrolluar gjendjen psiqike të të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale.

Megjithatë, trupi gjykues pas kundërshtimeve të prokurorit Shaban Spahiu, vendosi që të refuzojë propozimin e mbrojtjes.

https://kallxo.com/vrasja-ne-mal-gjyakata-vendos-qe-te-shikohet-vendi-ku-kishte-ndodhur-rasti/?fbclid=IwAR36H4-Xc1NpSvL6Dko__5PCKwvt4Z3OH2oEBrdZsw2LV-616lAItHjpbTs

www.kallxo.com