Rrëfimi i shefes së Klinikës së Infektivës për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja

Procesi gjyqësor  në të cilin 24 persona po akuzohen për rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK-ja në kohën kur ai po gjykohej për krime lufte u dëgjua në cilësinë e dëshmitares shefja e Klinikes së Infektivës në QKUK.

Dëshmitarja Sadije Namani, deklaroi se “Në maj të vitit 2014 kam qenë dhe vazhdoj të jem shefe në repartin ‘F’ në Kliniken Infektive në QKUK’’.

‘’Me datën 20 maj2014, pacienti Ismet Haxha ishte i shtruar në repartin tim, i burgosur nga burgu i Dubravës’’, deklaroi dëshmitarja Namani.

‘’Pacienti kishte pezmatim të mushkërive dhe bronhit kronik obstruktive dhe reparti ynë trajton të gjitha infeksionet përfshirë edhe infeksionin e mushkërive’’, shtoi ajo.

‘’Më pas është konsultuar pulmologu, arsye pse nuk është transferuar në Klinikën e Pulmologjisë ishte se Klinka nuk kishte dhoma të posaçme për të paraburgosurit, pulmologu e ka vizitu pacientin duke kërkuar analiza shtesë për pacientin’’, deklaroi dëshmitarja Namani.

Tutje dëshmitarja Namani tha se “Në mëngjes ka qenë në dhomë Ismet Haxha nuk e ka lëshuar asnjëherë dhomën sa ishte në repart tim’’.

E pyetur nga prokurori Blerim Isufaj se me kë ishit në vizitë mjekësore te i akuzuari Ismet Haxha, dëshmitarja Namani  deklaroi se se “Isha me dy mjekë nga stafi mjekësor’’.

E pyetur nga avokati Mahmut Halimi, mbrojtës i Ismet Haxhës, se “Deri në sa ora ishit në punë?’’, dëshmitarja Namani tha se “Në vitin 2014 orarin e punës e kemi pasur nga ora 07:00 deri në ora 15:00’’.

Ndërsa e pyetur nga avokati Halimi se deri në fund të orarit të punës a keni dëgjuar dhe a keni parë se ka pasur protestë eventuale në ambientet e Klinikës tuaj apo të klinikave të tjerë në kuadër të QKUK-së, dëshmitarja Namani deklaroi se “Unë kam dëgjuar nga kolegët dhe mediat se ka pasur protestë në QKUK dhe se janë arratisur të paraburgosurit’’.

E pyetur se kur e kishte vërejtur se pacienti Ismet Haxha nuk ishte në dhomën e Klinikës, dëshmitarja Namani tha se “Në bazë të historiatit  pacienti nuk ka qenë në dhomë në ora 13:00’’

E pyetur nga avokati Mentor Neziri, mbrojtës i të akuzuarit Bashkim Dervisholli, se para derës së dhomës së Klinikës, a kanë qëndru një apo dy gardianë, dëshmitarja Namani tha se “Nuk më kujtohet se sa gardianë kanë qenë, por si rregull duhet të jenë dy”.

E pyetur nga gjykatësi Shashivar Hoti, se ku e keni dhënë deklaratën në Stacionin Policor apo në QKUK, dëshmitarja Namani tha se “Unë sa e di 90 % e kam dhënë dëshminë në Klinikë, sepse nuk mbaj mend të kem qenë në Stacion’’.

Bashkë me Sami Lushtakun, i akuzuar në këtë rast është edhe djali , Mërgim Lushtaku, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg