Rrëfimi i policit për rastin e vrasjes në ‘Bon Vivant’

 

Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, të akuzuar në rastin e vrasjes së Rrahman Ukajt në lokalin ‘Bon Vivant’ në vitin 2014-të, janë ballafaquar me rrëfimet e dëshmitarëve të dhëna në seancën e sotme para trupit gjykues në Gjykatën e Prishtinës.

Në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar zyrtari policor Eshref Beqiri. I njëjti rrëfimin e tij e filloi duke treguar pozitën në të cilën kishte shërbyer dhe veprimet që kishte ndërmarrur në momentin kur ishte informuar nga radiolidhja për ngjarjen.

“Në kohën të cilët e potencuat kam qenë pothuajse në pozitën e njëjtë, mbikëqyrës i ndërrimit, pranë stacionit policor qendra në Prishtinë…, të gjitha veprimet e mia si mbikëqyrës i ndërrimit janë të evidentuara në raportin zyrtar që ja kemi bashkangjitur shkresave të lëndës”- tha Beqiri.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Sherif Krasniqi, Haxhi Millaku, se në momentin kur dëshmitari ka arritur në vendin e ngjarjes kush ishte prezent aty, dëshmitari u përgjigj që në vendin e ngjarjes ishte prezent rreshteri Adem Lutfiu, të cilin e kishte udhëzuar për veprime të mëtutjeshme.

“Ka qenë njësia e parë në vendin e ngjarjes, ka qenë rreshteri Adem Lutfiu, të cilin e kam udhëzuar që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet policore për sigurimin e vendit të ngjarjes, mbledhjen e dëshmive si dhe dëshmitarëve…,”- u përgjigj Beqiri.

E pastaj Beqiri ishte informuar që një i dyshuar është duke ecur në rrugën Qamil Hoxha dhe menjëherë së bashku me kolegët e tjerë ishin nisur në atë drejtim, deri në arrestimin e të dyshuarit.

Dëshmitari për fund tha para gjykatës që mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna më herët.

“Të gjitha ato (deklaratat) që i kam dhënë me dijeninë time, i mbështes të gjitha”- tha për fund dëshmitari.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjoheshin edhe tre dëshmitarë të tjerë, por që të njëjtit nuk ishin prezent.

Seanca e radhës për këtë rast do të vazhdoj më 5 dhjetor të këtij viti.

Kujtojmë që me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020 Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi është dënuar me 6 vjet burgim.

Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Supremja kishte gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtor për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të  personave të tjerë, mirëpo e njëjta nuk e ka sqaruar mirë se si i pandehuri Shefki Krasniqi ka kontribuar në vrasjen e tani të ndjerit Rrahman Uka.

Gjykata Supreme gjeti se janë të bazuara pretendimet për cenimin e identitetit objektiv në mes të aktakuzës dhe aktgjykimit, sepse të dënuarit janë shpallur fajtor për veprime të cilat thelbësisht dallojnë nga ato për çka janë të akuzuar.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK