Rrëfimi i gjilanases: Të dyshuarit kishin pasur thikë kur kanë tentuar të më grabisin çantën

Të akuzuarit për grabitje në tentativë deklarohen për fajësinë

Riad Ahmeti dhe Fadil Sylejmani, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila ua ngarkon veprën penale të grabitjes në tentativë.

Në seancën e sotme të akuzuarit u deklaruan të pa fajshëm duke konsideruar se nuk e kanë kryer veprën penale me të cilën akuzohen.

Prokuroria Riad Ahmetin dhe Fadil Sylejmanin i ngarkon me veprën penale të grabitjes në tentativë.

Sipas aktit akuzues Riad Ameti dhe Fadil Sylejmani, me datën 31 janar 2017, në rrugën e “Preshevës”, në Gjilan kanë tentuar të kryejnë grabitje në dëm të dëmtuarës Sofije Sejdiu.

“I akuzuari Riad Ahmeti e ka përcjellur të dëmtuarën dhe nën kanosje serioze ja ka marrë çantën nga dora në të cilën ka pasur të holla, kartelën e bankës dhe dokumentet personale”, thuhet në aktakuzë.

Tutje sipas aktit akuzues deri sa i akuzuari Riad Ahmeti i ka kryer këto veprime, i akuzuari tjetër Fadil Sylejmani ka bërë roje gjatë gjithë kohës deri sa e dëmtuara ka kërkuar ndihmë nga persona të tjerë.

Tutje në seancë duke dhënë fjalën hyrëse, prokurori Isuf Sadiku tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës e cila gjendet në shkresat e lëndës pa plotësime dhe ndryshime.

“Konsiderojmë se kemi prova për të vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale me të cilën akuzohen, andaj i propozoj gjykatës qe të vazhdoj me shqyrtimin gjyqësor”, tha prokurori Sadiku.

Kurse avokatët dhe të akuzuarit e kundërshtuan aktakuzën duke pretenduar se aktakuza e Prokurorisë nuk është e bazuar dhe se deri në fund të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pa fajësia e të akuzuarve.

Në vazhdim të seancës u dëgjua dëshmitarja Sofije Sejdiu, e cila ishte e dëmtuar nga veprimet e të akuzuarve sipas Prokurorisë. Ajo tha të ketë dhënë deklaratë në Polici dhe se mbetet pran sajë.

“Ditën kur ka ndodhur rasti unë kam qenë në punë, duke u kthyer në shtëpi afër orës 19, çantën e kam pas në krah dhe pasi kam blerë bukë, çantën e kam kapur në dorë. Duke u kthyer në shtëpi, e vërejta se dikush po vjen pas meje, për një moment çantën ma ka kapur Riadi. Një person që pastaj ja ka marrë çantën më ka thënë se “pshtove se kish pas edhe thikë me vete”, tha dëshmitarja Sofije Sejdiu.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Sylejmani, avokati Elmi Qerimi, tha se nuk ka pyetje për të dëmtuarën duke konsideruar se e dëmtuara nuk e ka përmendur të mbrojturin e tij në asnjë moment.

Pasi u propozua një dëshmitar për t`u dëgjuar, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar me datën 24 prill.