Foto: Kallxo.com

Rrëfimi i dëshmitarit: Subvencionet e Pal Lekajt shkuan për babanë e vdekur para luftës

Subvencione në emër të një personi që kishte vdekur para luftës ishin ndarë nga komuna e Gjakovës në kohën kur ajo drejtohej nga Pal Lekaj, sipas një personi i cili dëshmoi të mërkurën në një seancë ndaj ish-kryetarit dhe tre personave të tjerë.

Pesë nga nëntë dëshmitarët që dolën para gjykatës së Gjakovës për të dëshmuar për rastin në të cilin i akuzuar është edhe ish-kryetari i komunës, Pal Lekaj, thanë se nuk kanë marrë subvencione edhe pse kishin qenë në listën e pranimit të subvencioneve.

Ata thanë se kjo listë u ishte prezantuar nga ana e Policisë.

Ndërsa, katër dëshmitarë të tjerë thanë që subvencionet i kishin marrë te vendi i quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë.

Pal Lekaj është aktualisht ministër i Infrastrukturës dhe Transportit në qeverinë në largim të Ramush Haradinajt.

Ai për këto akuza po gjykohet bashkë me Ismet Isufin, Veli Hajdaragën dhe Gani Ramën.

Në seancën e së mërkurës, ata u përballën për të dytën ditë rresht me rrëfimet e dëshmitarëve për subvencionet për bujqësi të ndara nga komuna.

Lekaj, Isufi e Rama po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Hajdaraga po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Dëshmitarët Daim dhe Baki Berisha thanë se asnjëherë nuk kishin aplikuar e as marrë subvencione.

“Unë kam 50 ari tokë bashkë me vëllezërit, nuk jemi të ndamë. Por ka mundësi që kujt ja kam lëshu tokën ka mujtë me ma marrë letërnjoftimin për subvencione”, tha dëshmitari Daim Berisha.

Ndërsa Baki Berisha tha se letërnjoftimin e tij ia kishte marrë bashkëfshatari i tij Remzi Shala, me qëllimin që të merrte farë për mbjellje.

“Në dokumentet që mi ka prezantuar Policia ka qenë i shkruar emri i babës tim i cili ka vdekë para luftës, por aty nuk ishte as nënshkrimi im as i babës”, tha dëshmitari Baki Berisha.

Edhe Fatlum Morina deklaroi se asnjëherë nuk kishte marrë subvencione e as që kishte aplikuar dhe se nënshkrimi i prezantuar nga Policia nuk kishte qenë i tij.

Mirëpo, pas ballafaqimit të deklaratës së mëparshme nga ana e trupit gjykues, Fatlum Morina kishte thënë se 25 kilogramë farë dhe pleh kimik ia kishin sjellë dhe ai i kishte marrë. Ai tha se këto i kishte marrë në emër të gruas së axhës së tij edhe sot tha se qëndron prapa këtij deklarimi.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci, tha se kjo lëndë është tërësisht e kontaminuar dhe me shkelje sepse, sipas tij, dëshmitarët paskan dhënë dëshmi me shkelje të qëllimshme ndaj klientit të tij.

Në anën tjetër, prokurori Atdhe Dema replikoi me avokatin.

“Këtu jemi për mashtrim me subvencione, ndërsa sa i përket marrjes në pyetje më e shkeljeve që pretendon avokati, atëherë ka mekanizma të tjera ku mund të adresohen”, tha prokurori Dema.

“Bon ankesë ti”, i tha prokurori avokatit.

Por avokati Koci iu përgjigj menjëherë: “Ankesë ke me bo ti”.

Më pas, dëshmitari Gembi Batusha, deklaroi se kishte pranuar farë gruri dhe pleh kimik edhe pse tha se  nuk ka tokë bujqësore.

“Besoj që kam nënshkruar dikund përderisa i kam pranuar, ndërsa nuk më kujtohet nga kush e kam marrë. E kam pasë një tokë të shokut në shfrytëzim, por nuk më kujtohet që kam aplikuar”, tha dëshmitari Gemb Batusha.

Dëshmitari tjetër Jeton Bytyqi tha se duke shfrytëzuar tokën e shokut të tij Hekuran Hoda, kishte aplikuar dhe kishte marrë subvencione.

Ai tha se subvencionin e ka marrë te “Ura e Taliqit” në Gjakovë.

Edhe dëshmitarja Marte Zeqiri deklaroi se nuk kishte pranuar asnjë subvencion nga komuna e Gjakovës.

“Në listën e prezantuar nga Policia ka qenë e shkruar emri i burrit dhe burri më ka vdekë 1 vit pasi që kam dhënë deklaratën në Polici”, tha dëshmitarja Marte Zeqiri.

Deshmitari Muhamet Rragomaj tha se kishte tokë bujqësore prej 50 ari por që nuk kishte marrë subvencione.

Ai tha se vëllai i tij Haziri kishte aplikuar për marrjen e grurit si subvencion.

“Policia më ka thirrë në emër të djalit tim por ai nuk ka qenë nënshkrimi i djalit tim, sepse ne nuk kemi aplikuar dhe asnjëri nuk kemi marrë subvencione”, deklaroi dëshmitari Muhamet Rragomaj.

Ndërsa dëshmitarët Remzi Shala dhe Hasan Avdija thanë se kanë aplikuar në mënyrë të rregullt për subvencione dhe të njëjtat i kishin marrë te “Ura e Taliqit”.

Remzi Shala tha se kishte nënshkruar dhe kishte marrë subvencione edhe për dy persona të tjerë, Daim dhe Baki Berisha.

Ndërsa Hasan Avdija tha se kishte marrë 200 kilogramë farë gruri për 84 ari tokë.

Seancat e radhës ku do të dëgjohen edhe dhjetë dëshmitarë të tjerë u caktuan datat 3, 4 dhe 5 shkurt 2020.

Dje ishin dëgjuar dëshmitarë, ku vetëm njëri prej tyre kishte aplikuar dhe marrë subvencione.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Javën e kaluar kishte dështuar të mbahej ky gjykim, gjë që nuk ishte hera e parë e dështimit.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

 

Lënda e Gani Ramës ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të akuzuarve të tjerë, pas propozimit të prokurorit Atdhe Dema për bashkimin e lëndëve.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.

Caktohet dita e gjykimit të Pal Lekajt

Poashtu, Gani Rama po akuzohet për 218 mijë euro, lidhur me shpërndarjen e subvencioneve.

Ish-zyrtari komunës së Gjakovës po gjykohet për 218 mijë euro

Bëhet e ditur që rasti i Gani Ramës, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi që Gjykata e Gjakovës, Gani Ramën e kishte liruar nga akuza e Prokurorisë, për shkak se nuk ishte vërtetuar se i akuzuari kishte kryer vepër penale.

Lirohet nga Akuza Gani Rama, Zyrtar i Komunës së Gjakovës

Aktakuzën ndaj Ramës e ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale, po akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat e përcaktuara.

Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro, thuhet në aktakuzë.

Në këtë rast, ish-kryetari i komunës se Gjakovës tash ministër i Infrastrukturës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e drejtorisë për bujqësi Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangje nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrë Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezentuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.