Rrëfimi i dëshmitarit se si i gjeti kufomat - Gjykimi ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për "krime lufte"

Millosh Pleskoviq, i akuzuar për “krime  lufte kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë në zonën e Prizrenit është ulur edhe sot, më 15.01.2025, në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Millosh Pleskoviq akuzohet se më 01.09.1998 në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren kishte shtënë me armë të tipit “Kallashnikov” – me ç’rast ishin vrarë 3 civilë, të cilët ishin duke shkuar për të marrë dru në mal.

Sot, më 15.01.2025, janë dëgjuar dy dëshmitarë. Fillimisht dëshminë e tij e ka dhënë dëshmitari Perver Daçaj, i cili gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se gjatë kohës së luftës kishte qenë në Bosnjë dhe në atë kohë kur kishte qëndruar në Bosnjë kishte kuptuar për vdekjen e vëllezërve të tij B. D., R. D. dhe vdekjen e F. B. nga vëllezërit që kishin qenë në Kroaci.

Gjatë dëshmisë së tij Daçaj tha se në Kosovë ishte kthyer në vitin 2000 ose 2001, ndërsa prej luftës nuk kishte parë asgjë.

“Në Kosovë jam kthyer në vitin 2000 apo 2001, sepse nuk më kujtohet.” – tha Daçaj.

“Unë s’kam pa kurrgjë prej luftës në Kosovë.” – shtoi tutje Daçaj.

Ai gjatë dëshmisë së tij tha se Xhengeri i kishte treguar për ngjarjen, se si i kishin gjuajtur dhe vrarë, se si kishin mundur ta vrisnin edhe Xhengerin, sepse ky kishte qenë edhe me babanë e vet dhe Bashkimin. Si dhe, Xhengeri i kishte treguar se kishte arritur që të identifikonte Millosh Pleskoviqin nga forcat serbe.

“Po, më ka thënë që Miki ka qenë prezent, aty ballë për ballë prezent.” – tha Daçaj.

“Detaje më tepër nuk ka dhënë, sepse gjendjen që e kam, nuk kam dashur të hy në detaje më shumë.” – shtoi tutje Daçaj.

Para lufte ai rrëfeu se Mikin e kishte njohur shumë mirë. I njëjti tha se kishte qëndruar në lagjen e tyre, pasi aty i ka dajt dhe se në atë kohë Miki ishte dukur sikur tani si është, vetëm se pak i më dobët. E se si fëmijë në atë kohë ka mundësi që iu ka ra rasti të luajnë.

“Ne si fëmijë ndoshta na ka rasti edhe me lu me të. Një herë a dy nuk e di.” – tha Daçaj.

Tutje, seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit të dytë, Avdyl Muharremi, i cili gjatë dëshmisë së tij tha se të akuzuarin para lufte nuk e kishte njohur. Si dhe, tregoi se bashkë me Shaban Shalën kishin shkuar malit përpjetë. Se krejt e kishin ditur ku është ai vend dhe kur kishin mbërri në anën e majtë: aty Shabani i kishte gjetur kufomat.

Dëshmitari Muharremi tha se kufomat i kishte parë vetëm nga larg dhe ato ‘kishin qenë të ënjtura’.

“Nuk na kanë lanë m’u afru afër. Nga larg i kam pa që kanë qenë të ënjtura.” – tha Muharremi.

“A ka qenë e njëjta ditë kur i keni gjetur kufomat dhe kur keni shkuar me i marrë?” – e pyeti gjyqtari Rrahman Beqiri dëshmitarin.

“Nuk ka qenë e njëjta ditë, të nesërmen ka qenë.” – tha Muharremi.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë këtij muaji.

Kujtojmë se i akuzuari Millosh Pleskoviq në seancën e shqyrtimit fillestar, më 21.06.2024 nuk e kishte pranuar fajësinë.

“Nuk e pranoj fajësinë.” – kishte thënë i akuzuari Millosh Pleskoviq.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Trupit Gjykues: Rrahman Beqiri (kryetar i Trupit Gjykues) dhe dy anëtarët, Violeta Namani-Hajra dhe Kujtim Krasniqi.

Ndërsa, Aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Kastriot Memaj.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Sipas Dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998 – 1999, në Prizren gjatë një konflikti me karakter jondërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ), e forcave policore të Serbisë, i pandehuri Milos Pleskovic, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil – duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë Aktakuzë, forcat policore dhe ushtarake të RFJ-së dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.


Sipas Aktakuzës, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R.D., B.D., F.B së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje. Derisa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 persona, të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore e ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë. E, njëkohësisht, ishin të armatosur me armë të gjata automatike e të cilët fillimisht i kishin urdhëruar që të ndaleshin, pastaj i kishin fyer në gjuhën serbe.

Sipas Aktakuzës, në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë. Në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri B.D., e ka shtyrë më krah të dëmtuarin Xhenger Cana – duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup,

Gjithnjë sipas Aktakuzës, të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat, tani të ndjerit B.D dhe R.D dhe F.B kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave, ashtu që pas një jave me lejen e Policisë serbe familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve R.D., B.D dhe F.B, te të cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që R.D. dhe B.D. ishin vendosur njëri mbi tjetrin. Njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi, kurse viktima Fatmiri nuk e kishte pasur kokën në trup.


Në bazë të akuzave të lartcekura ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale: “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Për masakrat e krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe të dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast, mund t’i gjeni në këtë: LINK.