Rrëfimi i dëshmitarit në rastin 'Stenta 2': Pagova 5,300 euro në spitalin privat që ma rekomandoi doktori

‘Stenta 2’, dëshmitari: Agron Leku kishte shkruar në fletlëshim “pacienti është transferuar në spitalin privat me insistim të familjareve”.

Gjykimi ndaj 39 kardiologëve i njohur si “Stenta 2”, vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Hajrush Krasniqi.

“Stenta 2” është proces gjyqësor kundër 39 kardiologëve të dyshuar për keqpërdorimin e detyrës lidhur me procedurën e stentimit dhe marrjen e ryshfetit.

Dëshmitari Hajrush Krasniqi, tregoi se ka dhënë deklaratë para prokurorit Besim Kelmendi në vitin 2016 dhe qëndron pranë saj në tërësi.

Ai tregoi se me 15 gusht 2012 rreth orës 09 ose 10 të mëngjesit kishte pësuar sulm në zemër, dhe kishte shkuar në Spitalin Regjional të Gjilanit, në repartin e kardiologjisë  ku ishte kontrolluar nga doktor Ismail Aliu, Agron Leka e ndërkohe kishte shkuar edhe Besim Guda.

Dëshmitari tregoi se në Spitalin e Gjilanit kishte qëndruar deri me 17 gusht.

Ai tha se nga biseda me mjek dhe nga EKG-ja kishte mësuar se kishte pësuar infarkt.

Ndërsa me datën 17 gusht, dëshmitari tregoi se “Agron Leka më ka dhënë udhëzim për ta bërë koronografinë, ai më ka thënë se të propozoj me shku në spitalin IMH në Lapnasellë”.

“Ndërsa doktor Ismaili më ka propozuar të shkoj në spitalin “Filipi 2” në Shkup”, tha ai.

Dëshmitari tregoi se i kishte pyetur mjekët se a mund të bëhet koronografia në spitalin publik, mjekët i kishin thënë se “nuk kemi mundësi me bo këtu koronografinë”.

Ai tregoi se transportin nga Spitali Rajonal i Gjilanit për në spitalin privat “IMH” e kishte rregulluar doktor Agron Leka.

“Doktor Agroni e ka thirrë dhe e ka aranzhu të gjithën, unë i kam thënë doktor Agronit se nuk kam mjete ai më ka thënë se e rregullojmë për mjete edhe unë jam aty”, tha dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari Krasniqi tregoi se atij i ishte bërë koronografia dhe i ishin vendosur dy stenta për të cilat kishte paguar në total shumën prej 5 mijë e 300 euro.

“Të gjitha shpenzimet më kanë kushtuar 5 mijë e 300 euro”, tha dëshmitari Hajrush Krasniqi

Dëshmitari Krasniqi, tregoi se nuk kishte mundur të bënte kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për kthimin e parave të paguara për vendosjen  e stentave për shkak se doktor Agron Leku,  kishte shkruar në fletlëshim se “pacienti është transferuar në spitalin privat me insistim të familjarëve”.

Dëshmitari Krasniqi, tregoi se të akuzuarin Leku e kishte pyetur se pse nuk i kishte dhënë udhëzimin për në QKUK, po Leku i kishte thënë se ti s`ke kërku me shku në QKUK por në spital.

Fillimisht seanca ishte ndërprerë për 10 minuta pasi prokurorja Florije Shamolli është prokurore e rastit në gjykimin “Ukë Rugova 1”, i cili gjykim u shtye për shkak se prokurorja Shamolli zgjodhi të prezantojë në këtë gjykim.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj,  Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi,  Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë,  i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.