Rrëfimi i dëshmitarit në rastin ‘Stenta 2’: Mjeku më tha ‘mem dëgju mu si t`i kesh gjepat plotë e çon djalin te spitali turk’

 

Gjykimi ndaj kardiologëve të akuzuar për keqpërdorim të pozitës duke i tejkaluar kompetencat, dhe lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike ka vazhduar sot me rrëfimin e dëshmitarit Shaban Ballazhi.

Ballazhi për gjykatën rrëfeu rreth gjendjes shëndetësore të djalit të tij Kushtrim Ballazhit, i cili në vitin 2012 ishte 22 vjeçar.

“Në vitin 2012, u sëmur djali im Kushtrimi dhe e dërguam në spitalin e Hanit të Elezit prej aty më dhanë udhëzim për në spitalin e Ferizajt. Në Ferizaj më udhëzuan për në QKUK, pasi djali dridhej dhe kishte shtrëngim në anën e majtë të gjoksit”, tha ai.

Ballazhi rrëfeu për gjykatën se pasi djali i tij Kushtrimi ishte pranuar në emergjencë, mjek kujdestar atë natë ishte Lulzim Kadriu.

Sipas dëshmitarit Ballazhi, tani i akuzuari Lulzim Kadriu i kishte thënë: “Lulzim Kamberi më tha se djali zemrën e ka katastrofë, në bazë të EKG-së, mem dëgju mu si t`i kesh gjepat plotë e qon te spitali turk në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ata të presin në oborr”, kur unë i thashë a ka mundësi me ma dhanë një numër telefoni i njëjti më ka dhënë një letër me një numër  telefoni”.

Ai tregoi se djalin e kishte dërguar në spitalin turk “IMH” dhe për koronarografinë që i kishin bërë kishte paguar 700 e diçka euro.

Por pas koronarografinë djalin e kishte kontrolluar edhe te një psikiatër në kliniken “Preventiva“ në Ferizaj, i cili i kishte thënë se djali juaj nuk ka problem me zemër dhe i njëjti i kishte propozuar që rastin ta tregonte në Polici.

Andaj edhe dëshmitari deklaroi se vet kishte shkuar të deklaronte në Polici lidhur me këtë rast.

I pyetur nga gjykatësi Shashivar Hoti se në vitin 2012-të a është ofruar koronarografia në QKUK dëshmitari u përgjigj me “jo”.

Gjithashtu ai në fund tregoi se e ndien vetën të dëmtuar për koronarografinë që ka bërë në spitalin turk në shumë prej 700 euro dhe deklaroi se do të parashtrojë kërkesën pasurore juridike.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu,  Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë,  i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.