Rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin për keqpërdorim në prokurim ndaj Liman Buzokut
Në gjykimin ndaj Liman Buzokut, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim në Komunën e Drenasit në seancën e datës 09.10.2024 në Gjykatën e Prishtinës është dëgjuar dëshmitari Faton Kabashi.
Liman Buzoku po akuzohet se me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik.
Dëshmitari Faton Kabashi i pyetur nga prokurori Bashkim Zeqaj, se cili ishte profesioni i tij dhe se a kishte lëshuar ndonjë referencë të datës 19.08.2020 me numër të protokollit 351 lidhur me kompaninë ‘Matkos Pharm’.
Dëshmitari deklaroi se ishte jurist dhe punon si udhëheqës i departamentit të Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, dhe deklaroi se ai nuk kishte lëshuar reference të tillë dhe se lidhur me këtë çështje ai i’u kishte drejtuar zyrës së prokurimit.
“Referencë nuk kam lëshuar siç jam deklaruar, unë jam njoftuar nga zyra e prokurimit të komunës së Suharekës lidhur me një referencë të një kompanie ku mbas asaj reference ka pasur elemente të dyshimta, referenca nuk ka qenë siç duhet, ngase e njëjta nuk e përmbante stemën-llogon e qendrës mjekësore, dhe po ashtu ka ekzistuar dyshimi se vula nuk ka qenë origjinale”- u përgjigj dëshmitari Faton Kabashi në pyetjen e prokurorit.
“Pastaj unë kam dalur me një njoftim publik duhet i’u drejtuar zyrës së prokurimit që ne si qendër familjare nuk e kemi lëshuar këtë dokument në fjalë”- shtoi tutje dëshmitari Faton Kabashi.
Tutje dëshmitari Faton Kabashi shtoi se kjo referencë për kompaninë ‘Matkos Pharm’ nuk ishte lëshuar nga zyra juridike e tij.
Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Liman Buzoku, avokatit Besnik Berisha se kush e cakton numrin e protokollit ai apo operatori. Dëshmitari u përgjigj se ai e vendos.
Ndërsa i pyetur se a ishte nënshkrimi në fund i ndonjë zyrtari në QKMF.
I njëjti deklaroi se prej zyrës të tij nuk ishte lëshuar dhe nënshkruar.
Dëshmitari tutje deklaroi në pyetjet e trupit gjykues se në librin e protokollit regjistron edhe një zyrtar tjetër kur ai është në pushim, dhe se këto shkresa kanë nga një kopje dhe ruhen në librin e dokumenteve.
Tutje i njëjti deklaroi se shkresa për të cilën i pandehuri Liman Buzoku po akuzohet, nuk gjendet në arkivat e QKMF-së.
Ndryshe në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe një dëshmitar tjetër, mirëpo kryetari i trupit gjykues Gëzim Ademi bëri të ditur se në sesionin pasdites ishte i angazhuar me një seancë tjetër.
Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Gëzim Ademi- kryetar, anëtarët Alltëne Murseli dhe Gazmend Bahtiri.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Sipas aktakuzës të datës 30.12.2021, i pandehuri Liman Buzoku akuzohet se më 05.05.2021, në ora 14:00, në Komunën e Drenasit me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e drejtorit të kompanisë “MATKOS PHARM” kishte ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me barëra dhe material shpenzues mjekësor”.
“Referenca nga “Shemo”, e datës 15.11.2020, të cilët kanë rezultuar që janë të falsifikuar, ku kjo kompani është shpërblyer me kontratë në vlerë prej 68,938,50 euro, mirëpo gjatë kohës në pritje të kalimit të afatit të ankesave, Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka njoftuar Komunën e Drenasit se lidhur me këtë aktivitet të prokurimit operatori ekonomik “MATKOS PHARM”, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të falsifikuar, ku pas verifikimit të tyre rezulton se janë falsifikuar, ku më pas është bërë edhe anulimi i tenderit” – thuhet në dosjen e Prokurorisë.